Ilustrim
A e përjetojnë burrat ‘Menopauzën’
Keni dëgjuar për menopauzën te gratë që është koha kur një grua përfundon kohën e riprodhimit dhe nuk ka më cikël menstrual. E përbashkëta e menopauzës me andropauzën që ndodhë te burrat janë rënia e nivelit të prodhimit të hormoneve seksuale që te gratë është estrogjeni, ndërsa te meshkujt testosteroni.
Andropauza fillon në fund të të 30-tave dhe fillim të 40-tave dhe vjen si pasojë e rënies së prodhimit të testosteronit. Kjo rënie është graduale dhe ngadalshme diku 1-2% në vit dhe bën që andropauza fillon të ndihet në të 50-tat e tutje.
Andropauza, që po e quajmë figurativisht menopauza e burrave, shkakton ndryshime psikologjike, fizike që mund të manifestohen me ulje të përgjithshme të energjisë, mungesë motivimi, shtim të peshës, ulje të libidos dhe disfunskion erektil.
Në këto raste ndihma e mjekut androlog është e domosdoshme, sepse te pacienti 40 vjeçar paraqiten simptoma si rënia e dëshirës seksuale e kjo na sinjalizon se mund të ketë rënie të prodhimit të testosteronit dhe si rrjedhojë mund të sjellë edhe probleme si depresioni.
Kur një burrë përballet me andropauzë është mirë që të ndryshoj stilin e jetës fillimisht. Një regjim i shëndetshëm ushqimor, gjumë i mirë, aktivitet i rregullt fizik, mbajtja e peshës trupore sa më afër peshës normale si dhe tentativa të vazhdueshme për të qëndruar më larg stresit i lehtësojnë simptomat.
Asnjëherë asnjë burrë që kalon në probleme të tilla nuk duhet të tentoj të vetëmjekohet sepse pasojat mund të jenë në shëndetin e përgjithshëm si dhe në shëndetin e prostatës.
Kontaktoni mjekun për çdo shqetësim që mund të keni.