Përfitimet e nënvlerësuara të pemëve të gjalla të Krishtlindjeve
Pikëpamjet mjedisore pro dhe kundër pemëve të Krishtlindjeve shkojnë përtej ndikimit të tyre klimatik të “së gjallës apo plastikes”, thonë shkencëtarët. Por, cila është zgjedhja më e mirë për një “Krishtlindje të gjelbër”?, shkruan media britanike BBC.
Në vitin 1800, Mbretëresha Charlotte, gruaja e Mbretit George III, vendosi atë që besohet të jetë pema e parë e Krishtlindjeve në Angli, në Queen’s Lodge në Windsor. Pema e zbukuruar e Krishtlindjeve kishte histori të gjatë në Gjermani, por shpejt u bë pjesë e modës së sezonit festiv për klasat e larta angleze, dhe deri në vitet 1850-ta u bë pamje e zakonshme në Mbretërinë e Bashkuar.
Dy shekuj më vonë, tradita e vendosjes së një peme të sapoprerë në mes të dhomës së ndenjes dhe dekorimit të saj me drita dhe zbukurime vazhdon ende në pjesën më të madhe të botës. Sot, mbi tetë milionë pemë të Krishtlindjeve shiten çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar, dhe vlerësohet se 25-30 milionë shiten në SHBA.
Pemët e vërteta (ato të gjalla e jo plastike) mund të jenë duke u kthyer në modë tek brezat e rinj – një sondazh në SHBA në vitin 2019 zbuloi se gjenerata e mijëvjeçarit (millennials) kishin 82% më shumë gjasa sesa brezat më të vjetër (boomers) të zgjedhin një pemë të gjallë në vend të plastikes.
“Duke qenë vetë pjesë e brezit milenial, padyshim i përshtatem këtij trendi. I dua pemët e vërteta të Krishtlindjeve, por kam pasur shumë biseda (dhe debate të brendshme) nëse marrja e një peme të tillë është shpërdorim i tepruar apo pjesë thelbësore dhe në fund të fundit mjedisore e papërfillshme e Krishtlindjeve”- u shpreh Aleksandra Kosiba, ekologe e pyjeve në Universitetin e Vermont.
“Teksa jam thelluar më shumë në këtë temë, kam zbuluar se ndikimi i supozuar negativ mjedisor mund të mos jetë aq i qartë sa kam menduar më parë. Këto diskutime shpesh fokusohen në gjurmët e karbonit të pemëve të vërteta krahasuar me ato plastike, por studiuesit thonë se ndikimi i tyre në përgjithësi, qoftë i mirë apo i keq, shkon shumë përtej kësaj.”
“Ka shumë më tepër nuanca në këtë çështje sesa thjesht, ‘Oh, po presim një pemë dhe po e largojmë atë’,” thotë Alexandra Kosiba.
Para se të pritet, pema rritet në një tokë që mund të përdorej për qëllime të tjera. Në Vermont, për shembull, thotë Kosiba, plantacionet e pemëve të Krishtlindjeve mbështesin ekonominë lokale dhe ndihmojnë për të ruajtur tokën si peizazh rural.
Mënyra si e përdorim dhe trajtojmë tokën është bërë veçanërisht e rëndësishme përballë dy krizave thellësisht mjedisore: humbjes së biodiversitetit dhe ndryshimeve klimatike.
“Pyjet që menaxhohen mirë luajnë rol të madh në zgjidhjen e klimës,” thotë Andy Finton, drejtor i ruajtjes së peizazhit në The Nature Conservancy, OJQ mjedisore në SHBA. “Pemët e të gjitha llojeve po tërheqin karbon nga atmosfera, e ruajnë atë dhe po reduktojnë sasinë e ndotjes nga karboni dhe shpejtësinë e ndryshimeve klimatike.”
Pemët e Krishtlindjeve sigurisht nuk janë kaq të rëndësishme për tokën, ose lojtar i madh në ciklin global të karbonit, sidomos në krahasim me prodhimin e drurit ose kulturat si misri ose gruri. Por, ofrojnë fushë interesante për t’u marrë në konsideratë, pjesërisht sepse shumë njerëz kanë qasje shumë më direkte me to sesa me ndonjë produkt tjetër pyjor.
“Ka shumë njerëz që nuk ndërveprojnë shpesh me natyrën,” thotë Kosiba. “Është mjaft interesante të mendojmë se të gjithë këta njerëz po sjellin një pemë në shtëpinë e tyre dhe e vlerësojnë atë.” Ky vlerësim festiv mund të jetë mundësi e mirë për të shqyrtuar rolin më të gjerë të pemëve të ndryshme dhe se si dhe ku ato rriten”.
Pemët e Krishtlindjeve janë zakonisht pemë të reja bredhi ose pisha nga plantacione.
Plantacionet rriten për rreth 10 vjet para se të korren.
Pemët e Krishtlindjeve nuk janë përfshirë në angazhimin e BE-së për të mbjellë tre miliardë pemë shtesë deri në vitin 2030, pasi ato konsiderohen jetëshkurtër.
“Priten më shpesh sesa korrjet e drurit ose, natyrisht, pyjet e vjetra natyrore,” thotë Paul Caplat, ekolog në Queen’s University Belfast. “Prandaj, nuk ka shumë kohë për biodiversitetin të vendoset aty”.
Megjithatë, hulumtimet kanë treguar se plantacionet e pemëve të Krishtlindjeve mund të ofrojnë rritje të biodiversitetit – sidomos në zona ku ka rënie për shkak të intensifikimit të bujqësisë. Kjo për shkak se plantacionet kanë struktura habitate me tokë të zbrazët (hapur), që mund të japin qasje më të lartë në burimet ushqimore, ndërsa pemët e tyre mund të ofrojnë kushte të mira për zogjtë e fushës për të bërë fole.
“Speciet që do të kishin përdorur forma më të gjerë të peizazhit bujqësor në të kaluarën, por nuk gjejnë të gjitha burimet që u duhen në mjedisin më të intensifikuar bujqësor, do të gjejnë atë që duan në plantacionet e pemëve të Krishtlindjeve,” thotë Caplat.
Një studim i vitit 2022 në Gjermani tregoi se plantacionet e pemëve të Krishtlindjeve mund të paraqesin strehim për shumë zogj dhe mund të ndihmojnë në stabilizimin e popullatave të specieve.
Derisa, një studim i vitit 2019 në Belgjikë zbuloi se diversiteti i brumbujve – përfshirë edhe speciet e rrezikuara – ishte më i lartë në plantacionet e pemëve të Krishtlindjeve sesa në fushat e misrit.
“Ndërkohë, në zonat natyrale të pyllëzuara në verilindje të SHBA-ve, pyjet e reja si plantacionet e pemëve të Krishtlindjeve, mund të ofrojnë përqendrim më të lartë të insekteve ose barishteve për të mbështetur zogjtë dhe gjitarët në pjesë të caktuara të ciklit të tyre jetësor”, thotë Finton.
Një studim i udhëhequr nga ekologja Merle Streitberger nga Universiteti Osnabruck në Gjermani zbuloi se plantacionet organike të pemëve të Krishtlindjeve kishin strukturë më të mirë habitati dhe diversitet më të lartë të specieve bimore krahasuar me ato konvencionale.
Dhe pastaj është çështja e karbonit. Si çdo pemë tjetër, pemët e Krishtlindjeve thithin karbon gjatë rritjes. Kur priten, fillojnë të lëshojnë këtë karbon.
Gjithashtu, vlen të vendoset sasia e karbonit të përfshirë në përdorimin e një peme Krishtlindjeje në kontekst. Carbon Trust vlerëson se një pemë Krishtlindjeje 2 metra e lartë, e djegur pas përdorimit, lëshon vetëm 3.5 kg ekuivalent të dioksidit të karbonit.
Mënyra se si njerëzit i hedhin pemët e Krishtlindjeve pas përdorimit është zakonisht konsiderata më e rëndësishme për karbonin. Skenari më i keq ndodh kur pemët e Krishtlindjeve përfundojnë në deponi: kushtet anaerobe janë të favorshme për lëshimin e karbonit si metan.
Sipas të dhënave të Carbon Trust, nëse një pemë përfundon në deponi, lëshon rreth 4-5 herë më shumë karbon sesa një pemë që nuk përfundon aty.
Derisa, pema është ende gjallë me rrënjët e saj, duhet të rimbillet. Ndërsa, nëse pema digjet për energji, karboni që përmban do të lëshohet menjëherë në atmosferë si CO2 (dioksid).
Pemët madje mund të përdoren si mjete për restaurimin e habitatit në brigjet e lumenjve dhe vijat bregdetare për të parandaluar erozionin.
Në Vermont, ku pemët e vjetra të Krishtlindjeve përdoren për gjithçka, nga djegia për prodhim energjie deri te ushqimi për dhitë, “po shohim gjithashtu që ato përdoren në restaurimin e lumenjve,” thotë Kosiba.
“Janë të shkëlqyera për ndaljen e dheut dhe mbeturinave, si dhe për krijimin e pengesave dhe pellgjeve për peshqit”.
“Për ata që kanë hapësirë, mundësi e shkëlqyer është të blini një pemë të rritur në vazo për Krishtlindje dhe ta mbani në kopsht deri në vitin tjetër – ndoshta edhe ta mbillni përfundimisht kur të bëhet shumë e madhe”, shtoi ajo.
Dhe pastaj, sigurisht, është pyetja nëse thjesht të zgjidhni një pemë artificiale. Këto marrin qindra vite për t’u dekompozuar në deponi, por mund të kenë më pak karbon në total sesa blerja e shumë pemëve të vërteta nëse përdoren për një kohë të gjatë.
Carbon Trust vlerëson se gjurma e karbonit e pemëve plastike të Krishtlindjeve është rreth shtatë deri në 20 herë më e lartë se ajo e pemëve të vërteta.
Një pemë e Krishtlindjeve e mbjellë dhe menaxhuar me përgjegjësi është zgjedhje që mund të ketë përfitime të konsiderueshme për mjedisin. Por është e rëndësishme të merren parasysh vendndodhja, përdorimi dhe menaxhimi i këtyre pemëve në mënyrë që të optimizohen përfitimet e tyre mjedisore. /BBC
Përgatiti: Ardita Zeqiri – KALLXO.com