Kur konsiderohet ‘konsum i tepërt’ i alkoolit gjatë festave? Sqarime nga ekspertja mjekësore
Festat kanë mbërritur, e bashkë me to edhe orët e lumtura dhe mbledhimet e tjera që shpesh përcillen pije të përziera si birra dhe verë.
Të gjithë e dimë që sasia e madhe e alkoolit është e dëmshme, por sa është “shumë’ ose kur arrihet? A është më mirë të pijmë shumë në një ditë dhe pastaj të mos pijmë gjatë pjesës tjetër të javës, apo ta shpërndajmë konsumin?
Cilat janë shenjat kur kemi problem me pijet alkoolike? Dhe çfarë duhet të bëjnë ata që duan të kufizojnë konsumin e alkoolit gjatë festave?
Media amerikane CNN bisedoi me eksperten e mirëqenies, Dr. Leana Wen, mjeke e urgjencës dhe profesoreshë klinike në Universitetin George Washington.
Pse konsiderohet i dëmshëm konsumimi i tepruar i alkoolit?
Dr. Leana Wen: Ka shumë studime që tregojnë se pirja e tepruar në vazhdimësi lidhet me shumë sëmundje kronike, përfshirë sëmundjet e zemrës, kancerin dhe vdekjet e hershme. Në SHBA, sëmundja e mëlçisë e lidhur me alkoolin është shkaku kryesor i transplanteve të mëlçisë. Konsumi i alkoolit vlerësohet që shkakton rreth 178,000 vdekje çdo vit.
Kur konsiderohet se është tepruar me alkool?
Wen: Të rriturit që janë në moshën e lejuar për të konsumuar alkool nuk duhet të pinë më shumë se një pije në ditë (për gratë) dhe dy pije në ditë për burrat, në ditët që konsumojnë. Udhëzimet theksojnë se pirja më e pakët e alkoolit është më mirë se pirja e tepërt.
Secili që rregullisht pi më shumë se sasia e lartpërmendur duhet të dijë se po rrit rrezikun për sëmundje kronike dhe vdekje të parakohshme.
Gjithashtu, ata që konsumojnë alkool duhet të jenë të vetëdijshëm për rreziqet shtesë që lidhen me pirjen e tepruar.
Sipas Administratës për Shërbimet e Abuzimit të Substancave dhe Shëndetit Mendor, pirja e tepruar përcaktohet si katër ose më shumë pije në një event/rast për gratë dhe pesë ose më shumë për burrat.
A është më mirë të pish shumë në një ditë dhe pastaj të mos pish gjatë javës, apo ta konsumosh me limit në disa ditë ?
Wen: Pirja e tepërt në një ditë mund të çojë në arritjen e kufirit të pirjes së tepruar. Ata që pinë shumë përballen me dy grupe rreziqesh shtesë në krahasim me ata që e limitojnë apo shpërndajnë konsumin. Sasia e madhe e alkoolit vë stres/ngarkesë tek organet. Së dyti, ata që pinë shumë janë në rrezik më të lartë për aksidente me makina.
Cilat janë disa shenja që tregojnë se dikush ka problem me pijet alkoolike?
Wen: Dikush që rregullisht e tejkalon kufirin e rekomanduar javor dhe/ose pinë shumë duhet të jetë i vetëdijshëm se kjo mund të ketë pasoja negative për shëndetin. Njerëzit duhet gjithashtu të jenë të vetëdijshëm për “çrregullimin e përdorimit të alkoolit”. Pothuajse 29 milionë të rritur amerikanë kanë këtë gjendje, e cila është forma më e zakonshme e çrregullimit të përdorimit të substancave në SHBA.
Ky çrregullim karakterizohet nga humbja e kontrollit: Pasi dikush fillon të pijë, nuk mund të ndalet, ose përjeton dëshira që ndjen se duhet t’i përmbushë. Shumë persona me këtë çrregullim përballen me vështirësi për të përmbushur përgjegjësitë e punës, kujdesit dhe jetës së përditshme për shkak të konsumit të alkoolit.
Çfarë këshilloni për ata që duan të kufizojnë konsumimin e alkoolit gjatë festave?
Wen: Nëse dëshironi të shmangni alkoolin dhe alkooli është tundim i madh për ju, kërkoni mjedise shoqërore ku nuk shërbehet alkool. Nëse duhet të merrni pjesë në ngjarje ku shërbehet alkool, tregojini qëllimin tuaj personave të afërt.
Nëse qëllimi juaj është të zvogëloni numrin e pijeve që konsumoni gjatë javës, filloni duke mbajtur shënim sa po pini. Nëse, për shembull, deri të premten duket se po i afroheni tejkalimit të kufirit, mund të përpiqeni të ulni konsumin gjatë fundjavës.
Për ata që nuk mund të ndalojnë ose ndihen të sëmurë kur pijnë, kërkoni ndihmë mjekësore. Ka trajtime efektive për çrregullimin e përdorimit të alkoolit, dhe askush nuk duhet të ndiejë turp për të kërkuar ndihmë. /CNN
Përgatiti: Ardita Zeqiri – KALLXO.com