ARKIV – Gani Geci, i akuzuar për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit - Foto: KALLXO.com

Vrasja e Ruzhdi Shaqirit, vazhdon gjykimi ndaj Gani Gecit

Gani Geci edhe sot pritet të ulet në bankën e të akuzuarit. Ai nga prokuroria akuzohet për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, vrasje kjo e cila sipas prokurorisë kishte ndodhur me katër gusht 2014 në Skenderaj.

Gjykimi në shkallë të parë ndaj Gecit kishte përfunduar me tre qershor 2016, me shpalljen e aktgjykimit ndaj tij, ku ai për veprën penale “Vrasje” ishte dënuar me 4 vjet burg.

Po ashtu Geci akuzohet edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje dhe përdorim i armës. Për këtë të fundit prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale.

Për armëmbajtje pa leje sipas vendimit të shkallës së parë nga gjykata Geci ishte dënuar 10 muaj burgim. Ndërsa për veprën penale përdorim i armës gjykata e kishte liruar Gecin nga akuza, duke u arsyetuar se kjo vepër është konsumuar në dënimin për vrasje.

Sipas pas akuzës së prokurorisë e cila ishte ndryshuar me 1 Prill 2016, Gani Geci akuzohet se me katër gusht 2014 në Skenderaj saktësisht në ballkonin e kafeterisë “N’Qosh”, kishte privuar nga jeta, tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri.

Akuza e prokurorisë thotë se kjo kishte ardh si rezultat i një konflikti të më hershëm të datës 19.10.2001 për plagosjen e Gecit dhe vrasjen e dy gazetarëve Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku.

I pandehuri ishte duke dal nga brendësia e kafeterisë dhe po shkonte në drejtim të sheshit bashkë me Zijadin Gecin, përderisa tani i ndjeri Ruzhdi Shaqiri ka qenë bashkë me personat Shani Koca, Nehat Koca, Sinan Hajrizi, Ermal Jusufi, Afrim Rama, Blerim Musliu dhe Emin Lati, të gjithë këta sipas akuzës kishin qenë të ulur në një tavolinë në anën e djathë të ballkonit, duke u futur nga hyrja në lokal.

Derisa tani i pandehuri Geci ishte në shkallët e fundit të dalje nga lokali dhe kishte hedhur shikimin në drejtim të sheshit, papritmas kishte dëgjuar fjalët “Selam Alejkum”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Në atë moment Geci kishte ndalur dhe ishte kthyer nga drejtimi prej nga kishte dëgjuar fjalët dhe sheh Ruzhdi Shaqirin i cili sipas akuzës kishte ngritur dorën e djathtë lartë në ajër dhe pastaj i pandehuri shkon në drejtim të viktimës dhe ballafaqohet me të nga një distancë afërsisht një metër.

Gjithnjë sipas akuzës i pandehuri të ndjerit Shaqiri, i ishte drejtuar me fjalët “a i ke mbledhur pleqtë për t’u betuar se ku ke qenë rreth orës 19:10”.

Aty kishte filluar sherri kur Shaqiri kishte shtyrë tavolinën me këmbën e tij të majtë duke ia kthyer Gacit “zhduku, p…n.., unë nuk ta kam frikën, nxirre dhe gjuaj”, thuhet në akuzë.

Derisa ishte duke thënë këto fjalë Ganiu po ashtu fillon të ngritë dorën e djathtë, e drejton pas shpine dhe me këtë rast, i pandehuri është ndier, sipas akuzës i ofenduar dhe i kërcënuar nga viktima Shaqiri, dhe kishte nxjerr revolen duke shtënë katër herë në drejtim të viktimës.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në – LINK