Tensione në Gjykimin “Maratonik” për vrasjen e Naim Hajrizit

Tensione mes palevë e kanë përshkuar edhe seancën e sotme, ku Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu po gjykohen për vrasjen e Naim Hajrizit.

Këto tensione i vështirësuan Gjykatës punën e tyre, duke i bërë kështu që ata të i tërhiqnin vërejtjen, të akuzuarit Gëzim Retkoceri, se nëse vazhdon të flas pa e marr lejen e Gjykatës do të largohet nga salla. Pavarësisht se Gëzimi edhe më tutje vazhdoi të qëndroj në sallë duke e ruajtur qetësinë, familjari i tij u largua pikërisht se po e prishte qetësinë.

Tensionet në mes të familjarëve në këtë gjykim nuk kanë munguar as në seancat e kaluara.

Seanca filloi me mbrojtësin e të akuzuarit Osman Spahiu, avokatin Ramë Dreshaj i cili deklaroi se pas dhënies së deklaratës Osman Spahiu në seancën e kaluar, para dy jave, vëllai i të akuzuarit Gëzim Retkocerit, e kishte kërcënuar babain e Osman Spahiut. Ky rast ai tha se është lajmëruar edhe pranë policisë së Gjermanisë ku edhe jeton babi i Osmanit.

Ndër tjerash ai tha se në kërcenim ishte lakuar edhe emri i tij si mbrojtës i Osmanit me fjalët “ka me pa avokati Ramë Dreshaj”.

Përndryshe dy të akuzuarit Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu janë edhe familjarë mes vete.

Pas kësaj deklarate i akuzuari Gëzim Retkoceri pati diçka për të i treguar Gjykatës. Sipas tij, Osmani i kishte thënë se avokatja e tij e re Hedije Ademi i ka kërkuar 50 000 euro që Fikrije Fejzullahu me e tërheq aktakuzën ndaj Osmanit e Gëzimit.

“Unë i thash nuk i dho asnjëherë unë 50 000 euro. I dho veç me një kusht, që të zbulohet e vërteta” shtoi Gëzimi.

Gëzimi gjithashtu mohon të ketë kërcënuar Osmanin, ashtu siç Osmani kishte pretenduar në seancën e kaluar.

Avokatja Hedije Ademi i mohoi këto akuza të të akuzuarit.

 “Nuk është e vërtetë kjo” tha ajo.

Ndërsa mbrojtësja e Gëzim Retkocerit, Kosovare Kelmendi, tha se i kupton shqetësimet e kolegut të saj, mirëpo raporti familjar në mes të akuzuarve dhe thashethemet aspak nuk i interesojnë asaj.

Osmani e mohoi të i ketë kërkuar nga Gëzimi 50 000 euro madje ai tha se Gëzimi ka qenë ai që i ka thënë se i ka 1 milion euro për me dal prej burgut.

“Gëzimi më ka thënë, dajë 1 milion euro i kemi lënë në kacë për me dal prej burgut.”

Gjykimi për vrasjen e Naim Hajrizit – 19.09.2019

Prokuroria akuzon Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun se më 29 prill 2009 më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani te ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Gjykata e Prishtinës, në korrik të vitit 2015 kishte shpallur fajtorë Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun dhe i ka dënuar me nga 30 vjet burg për vrasjen e Naim Hajrizit në prillin e vitit 2009.

Por, pas pranimit të ankesave të mbrojtësve dhe të prokurorit dhe pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Apelit anuloi aktgjykimin e Gjykatës së Prishtinës dhe ktheu në rigjykim çështjen.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë kishte shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar siç obligojnë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi nga ky proces. Raportet mund t’i gjeni në këtë link.