Rasti 'Çekiçi' - 30 vite burgim ndaj të akuzuarit Gëzim Retkoceri

Për herën e 3 dënohet me burgim Gëzim Retkoceri për vrasjen e Naim Hajrizit në prill të vitit 2009.

Gjykata Retkocerin e dënoi sërish me 30 vite burgim.

Rasti i njohur si ‘Çekiçi’, ishte kthyer në rigjykim për herën e dytë nga Gjykata e Apelit.

Në dy gjykimet paraprake, Retkoceri ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 viteve.

Aktgjykimi i fundit në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja.

Gëzim Retkoceri akuzohet se më datë 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur, e kanë rrëmbyer e pastaj e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizi, të cilin e kanë goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart me qëllim që të fshehin gjurmët edhe e kanë djegur atë.

Në këtë rast i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas deklarimit të tij mbi veprën të njëjtit i është ri-cilësuar vepra në dhënie të ndihmës për kryerje dhe i është shqiptuar dënimi me 10 vite burgim.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast i gjeni KËTU.