Rigjykohen të Dënuarit për Vrasje

Apeli anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 7 korrik 2015 për vrasjen e kryer në prillin e vitit 2009, pas pranimit të ankesave të mbrojtësve dhe të prokurorit dhe pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit gjyqësor.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, si dhe dispozitivi i aktgjykimit nuk është hartuar siç obligojnë dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Megjithë anulimin e vendimit të themelores, Gjykata e Apelit ua vazhdoi paraburgimin Gëzim Retkocerit dhe Osman Spahiut.

Prokuroria akuzonte Retkocerin dhe Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë goditur Naim Hajrizin me mjete të forta duke e mbytur.

Retkoceri dhe Spahiu gjatë gjithë kohës kishin kundërshtuar se janë autorë të kësaj vrasjeje duke e konsideruar veten të pafajshëm.

Fehmie Gashi, avokate e Gëzim Retkocerit kur foli për KALLXO.com kthimin në rigjykim të kësaj lënde e konsideroi sukses profesional.

“Dy të akuzuarit Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu nga Gjykata Themelore në Prishtinë janë dënuar me nga 30 vjet secili dhe natyrisht mbrojtja-katër avokatët kemi bërë ankesë dhe sot mund të konsideroj se kemi arritur një sukses profesional,”tha Gashi.

Gashi Gjykatën e Apelit e konsideroi të drejtë, ndërsa shpjegoi edhe rolin e avokatëve.

“Gjykata e Apelit në këtë rast për mua është profesioniste dhe një inkurajim se vërtet gjykata e shkallës së dytë i shikon, i analizon dhe vepron në drejtim të drejtësisë, ngase detyra e avokatit në çdo rast nuk është hedhja hi syve për të shtrembëruar, por e jona është për të mbrojtur ligjin  dhe në këtë rast  për ta mbrojtur klientit tonë,” tha Gashi.