Gjykimi i Gëzim Retkocerit, i akuzuar për vrasje FOTO-Era Hasani/KALLXO.com

Ish i akuzuari thotë që nuk e njeh “Çekiçin” nga i cili rasti mori edhe emrin

Osman Spahiu, ish i akuzuar, tani dëshmitar ka deklaruar në Gjykatën e Prishtinës për rrjedhën e ngjarjes në lidhje me vrasjen e Naim Hajrizit në vitin 2009.

Ky dëshmitar është ftuar nga trupi gjykues që të deklarojë rreth kësaj vrasje të ndodhur në afërsi të Lipjanit para 11 viteve, për të cilën vrasje po akuzohet Gëzim Retkoceri.

Osman Spahiu ndërkaq ishte dënuar për dhënie të ndihmës pas kryerjes së vrasjes dhe kishte vuajtur dënimin prej 10 viteve burgim.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili, tani dëshmitarin Osman e ballafaqoi me mjetin që pretendohet se është kryer vrasja, një çekiç që nuk dihet as se si ka përfunduar në Gjykatë.

Nga ky çekiç, rasti ka marrë edhe emrin. Mirëpo ish i akuzuari pasi e pa nga afër tha se nuk e njeh madje në servisin ku ka punuar, që konsiderohet edhe si vendi i kryerjes së vrasjes, nuk kanë pasur, saktësisht nuk kanë punuar me çekiçë të tillë.

“Për mua është i panjohur ky çekiç nuk e di a është i servisit, a po jo sdi a e kam parë najherë Gëzimin tu punu me to, me çekiçët që kemi punu kanë qenë shumë të vegjël, por qesi jo, ka pas çekiçë të mëdhenj, gjysmë kile katrorë por këtë model nuk e kam pa asnjëherë në garazhë”, tha Osman Spahiu.

Ajo që i interesoi më së shumti kryetarit të trupit, Vesel Ismaili ishte se pse Spahiu kishte vendosur të flasë 11 vite pas ngjarjes famëkeqe.

“Osman pse vendose të flasësh pas 11 viteve për këtë rast “, pyeti gjyqtari Ismaili.

Ai u përgjigj se gjatë tërë kohës, i kishte thënë të akuzuarit Gëzim Retkoceri që ta sqarojë çështjen e telefonatës, prej të cilës edhe është Osmani u dyshua fillimisht për bashkëkryerje të vrasjes.

“E kam cek edhe më herët, pastro telefonin edhe kallxo qe o telefoni yt, që ma ke dhanë, edhe më ke thanë që ta thërras Halimin, dhe thuaj që vëllain e ke në Shkup, edhe pritsha që po e pastron, mbet pezull edhe unë u dënova me 30 vjet, u kthye në rigjykim landa, apet i kam thanë tregoje çështjen e telefonit, popo mka thanë edhe njëherë u patëm ngatërru me Gëzimin, sepse jemi takuar në burg më ka sharë, edhe i kam thanë ki me pa”, u përgjigj ish i akuzuari Spahiu.

Ndër të tjera dëshmitari Osman, përmendi që Gëzimi i kishte thënë “ Meno çka po fol, se s’vyen liria kurgjo”, e pas kësaj familjarët e tij ishin kërcënuar nga familjarët e Gëzimit, moment ky ku pati reagime nga vëllai i Gëzimit, që ishte prezent në sallë.

Tutje, dëshmitari u pyet se si e ka kuptuar ai dhënien e ndihmës në veprën e vrasjes për të cilën e ka pranuar fajësinë.

Mbrojtësja  e të akuzuarit Retkoceri, avokatja Kosovare Kelmendi reagoi duke thënë se “ ky është laik, i është premtu liria, e ka pranua fajin”.

Replikë e cila menjëherë nxiti reagim nga prokurorja e rastit, Fikrije Zejnullahu.

Gjatë marrjes në pyetje, Spahiu deklaroi se gjithmonë i është përgjigjur ftesave të hetuesve për të biseduar rreth çështjes që sipas tij ai as nuk ishte në dijeni se çfarë kishte ndodhur deri më 11 ose 12 maj kur edhe ishte arrestuar në stacion policor ku kishte shkuar pas thirrjes së hetuesve.

Ndër të tjera ai theksoi se asnjë e drejtë apo obligim nuk i është lexuar sa herë është marrë në pyetje.

Ky rast nga Apeli me ankesë nga palët është kthyer dy herë në rigjykim.

Gëzim Retkoceri po akuzohet se me datë 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur, e kanë rrëmbyer e pastaj e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizi, të cilin e kanë goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e me qëllim që të fshehen gjurmët edhe e kanë djegur atë.

Në këtë rast i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas deklarimit të tij mbi veprën të njëjtit i është ri-cilësuar vepra në dhënie të ndihmës për kryerje dhe i është shqiptuar dënimi me 10 vite burgim.

Ndërsa, Retkoceri  në gjykimin paraprak ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 viteve.

Aktgjykimi i fundit në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja andaj tani edhe është duke u rigjykuar.

Eprori i Policisë Emin Beqiri tregon me kërkesë të kujt kishte dalë në vendin e ngjarjes në ditën kur ishte vrarë Naim Hajrizi më 2009-ën