Gjykimi në rastin 'Çekiçi' (30.09.20220, Foto: KALLXO.com

Vrasja dhe djegia e viktimës në vitin 2009, gjykimit po i vjen fundi për herë të tretë pas 13 vitesh

Për herë të tretë po prek fundin gjykimi në rastin e njohur si “Çekiçi” ku i akuzuar është Gëzim Retkoceri për vrasjen e Naim Hajrizit në prill të vitit 2009 në afërsi të Lipjanit.

Për këtë vrasje i akuzuar ishte edhe Osman Spahiu por prokuroria për të njëjtin ka bërë ricilësim të veprës në fjalën përfundimtare të gjykimit të vitit 2020. Spahiu ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, për çka edhe e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.

Prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim e të njëjtën edhe e elaboroi gjatë seancës, ku kërkoi nga gjykata që i akuzuari të shpallej fajtor dhe të dënohej konform ligjit.

“Hera e tretë që jap fjalën përfundimtare për rastin e njëjtë për aktakuzën e ngritur në kohën e ish-Prokurorisë së Qarkut të Prishtinës, unë gjykatës i propozoj që Gëzimin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë konform dispozitave ligjore” – tha Fejzullahu.

Të njëjtën e mbështeti edhe avokati mbrojtës i familjes së viktimës, Berat Tmava.

Mirëpo seanca u ndërpre me kaq dhe i akuzuari me mbrojtësen e tij, avokaten Kosovare Kelmendi, kërkuan që t’iu mundësohej kohë më e gjatë për shkak të kompleksitetit të rastit.

“Është trup i ri gjykues unë në fjalën përfundimtare do të trajtoj çdo provë, çdo dëshmi e dëshmitarit një nga një, më duhet kohë e gjatë, rreth mbi 2 orë” – tha avokatja Kosovare Kelmendi.

Ky rast nga Apeli me ankesë nga palët është kthyer dy herë në rigjykim.

Gëzim Retkoceri po akuzohet se me datë 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur, e kanë rrëmbyer e pastaj e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizi, të cilin e kanë goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e me qëllim që të fshehen gjurmët edhe e kanë djegur atë.

Në këtë rast i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas deklarimit të tij mbi veprën të njëjtit i është ri-cilësuar vepra në dhënie të ndihmës për kryerje dhe i është shqiptuar dënimi me 10 vite burgim.

Ndërsa, Retkoceri  në gjykimin paraprak ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 viteve.

Aktgjykimi i fundit në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja andaj tani edhe është duke u rigjykuar.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast i gjeni KËTU.