ARKIV - Rasti 'Çekiçi' - 21.01.2020

Rasti ‘Çekiçi’ Apeli vërteton dënim prej 30 vitesh

 

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin me burgim prej 30 vitesh ndaj Gëzim Retkocerit për rastin e njohur si ‘Çekiçi’.

Ky vendim është marrë nga kolegji i gjyqtarëve – kryetari i kolegjit Bashkim Hyseni, Burim Ademi dhe Ferit Osmani anëtarë të kolegjit.

Gjykata e Apelit ka vërtetuar vetëm pjesërisht ankesën e mbrojtëses se të akuzuarit Retkoceri vetëm sa i përket cilësimit juridik të vrasjes së rëndë për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor.

‘’Ashtu që në veprimet e të akuzuarit kjo gjykatë gjen se përmbushen elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 147 par.7 lidhur me nenin 23 të KPK”, thuhet në vendimin e Apelit të siguruar nga Kallxo.com

Ndërsa, Gjykata e Apelit e ka refuzuar ankesën e palë së dëmtuar në lidhje me kërkesën që ndaj Retkocerit të shqiptohet dënimi maksimal.

Apeli e ka lënë në fuqi dënimin me 30 vite burgim ndaj të njëjtit.

Ndërsa, lidhur me pretendimet e mbrojtjes së Retkocerit se është hequr koha e kryerjes së veprës penale, Apeli i ka gjetur këto pretendimet të pabaza dhe se në dispozitiv theksohet se më 29 prill 2009 kishte ndodhur vrasja.

Sipas vendimit, gjykata ka vlerësuar se nuk ka ndonjë të dhënë në shkresat e lëndës lidhur me faktin se tani ndaj të ndjerit është përdorur ‘çekani si mjet për kryerjen e veprës penale sepse kjo nuk rezulton as nga raportet e vrojtimit të vendit të ngjarjes dhe as nga konstatimet mjeko-ligjore.

Në vendimin e Apelit, po ashtu thuhet se pretendimet e mbrojtjes së Retkocerit se aktgjykimi i Themelores është i mbështetur në prova të papranueshme, nuk qëndrojnë pasi që shkalla e parë sipas Apelit ka dhënë arsye lidhur me provat e papranueshme që janë marrë nga “Autoservis Cali”.

Tutje sipas vendimit të gjykatës, pretendimi se aktgjykimi i shkallës së pare mbështetet në prova të papranueshme nuk qëndron.

Kjo për faktin se provat e marra nga “Autoservis Cali” janë të pranueshme dhe rezultojnë nga vrojtimi i vendit të ngjarjes, ku edhe janë siguruar gjurmët që lidhen me veprën penale që është kryer.

Sipas vendimit, Apeli ka konstatuar se si vend i kryerjes së veprës penale nuk mund të konsiderohet vetëm vendi ku është gjetur viktima, por edhe vendi ku kanë bashkëpunuar Retkoceri dhe i ashtuquajtuari “Qeli”.

Apeli ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë ka shfaqur qartë rrethanat faktike të cilat i konsumojnë elementet e veprës penale dhe se kjo është e mjaftueshme si arsyetim për vërtetimin e fakteve.

“Lidhur me pretendimin e mbrojtjes se aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale, pasi që gjykata nuk ka dhënë arsye për sa i përket fakteve qe i konsideron të vërtetuara dhe fakteve që i konsideron të pavërtetuara, në raport me provat që janë administruar, Kolegji vlerëson se aktgjykimi në dispozitiv shpërfaq qartë rrethanat faktike që konsumojnë elementet e figurës së veprës penale për të cilën është shpallur fajtor i pandehuri”, theksohet në vendimin e Apelit.

Tutje sipas vendimit të Apelit, i ndjeri Naim Hajrizi ka ndërruar jetë nga një vdekje e dhunshme, si pasojë e plagëve të marra në kokë dhe përshpejtimit të djegies së trupit në temperatura të larta, gjitha këto të vërtetuara nga raporti i autopsisë.

“Nga rrethanat e fakteve, rezulton se: me datë 29.04.2009 i ndjeri kishte vdekur dhe se vdekja e ti ishte e dhunshme, kjo vërtetohet nga raporti i autopsisë, i datës 09.10.2009, e cila konstaton konkluzionin përfundimtar se vdekja ka ardhur si pasoje e plagëve vdekjeprurëse në kokë dhe e ndihmuar nga përshpejtimi i djegies se trupit në temperatura të larta”, theksohet në vendim.

Tutje sipas vendimit të Apelit, teli me të cilin i janë lidhur këmbët dhe duart tani të ndjerit Hajrizi është gjendur edhe në “Autoservis Cali” ku më pastaj të ndjerin e kishin vendosur në qese të plastikës, e kishin mbuluar me batanije dhe e kishin dërguar midis fshatrave Smallushë dhe Dobratin.

Provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor kanë vërtetuar se i ndjeri ishte dërguar midis këtyre dy fshatrave, kjo nga rrethanat faktike si dhe nga gjurmët e gjakut që ishin siguruar në veturën “Golf 2”, pronë e të akuzuarit Retkoceri.

Edhe në raportin e 30 prillit 2009 të Zyrës për Personat e Zhdukur, që është pjesë përbërëse e raportit të autopsisë, sipas vendimit, është vërtetuar se viktima kishte qenë i mbuluar me një qese plastike dhe i lidhur me fije metalike-tel dhe se trupi i viktimës ishte i djegur.

Më 1 tetor të vitit 2022, Gëzim Retkoceri ishte dënuar për herën e tretë me burgim prej 30 vitesh, për vrasjen e Naim Hajrizit në prill të vitit 2009.

Rasti i njohur si ‘Çekiçi’, ishte kthyer në rigjykim për herën e dytë nga Gjykata e Apelit.

Edhe në dy gjykimet paraprake, Retkoceri ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 viteve.

Aktgjykimi i fundit në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja.

Gëzim Retkoceri akuzohet se më datë 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur, e kanë rrëmbyer e pastaj e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizi, të cilin e kanë goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart me qëllim që të fshehin gjurmët edhe e kanë djegur atë.

Në këtë rast i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas deklarimit të tij mbi veprën të njëjtit i është ri-cilësuar vepra në dhënie të ndihmës për kryerje dhe i është shqiptuar dënimi me 10 vite burgim.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni KËTU.