Gëzim Retkoceri

Seanca gjyqësore ndaj Gëzim Retkocerit, i akuzuar për vrasje | Foto: KALLXO.com

I dyshuari për vrasje: Që 13 vjet veç këtë gajle e kam, me dal e vërteta

I dyshuari për vrasjen e Naim Hajrizit në vitin 2009, Gëzim Retkoveri ka thënë sot fjalën përfundimtare në Gjykatë, duke deklaruar se ai nuk e ka kryer vrasjen dhe se për më shumë se 13 vite pret zbardhjen e së vërtetës.

Ka përfunduar shqyrtimi në rastin e njohur si “Çekiçi”, në të cilën akuzohet Gëzim Retkoceri për vrasjen e rëndë të Naim Hajrizit në prill të vitit 2009 në afërsi të Lipjanit.

Në këtë shqyrtim u dëgjua fjala përfundimtare e mbrojtëses së të akuzuarit, avokates Kosovare Kelmendi.

Kelmendi konsideroi se hetimet në këtë çështje janë me mangësi dhe se trupi gjykues në rastin e marrjes së vendimit më mirë të iu nënshtrohet rrezikut se sa të dënoj një të pafajshëm.

“Përgjigja e çdo gjykate do duhej të ishte, jo këtyre hetimeve dhe ju prokurori e keni përgjegjësinë përse është zhvillu një hetim i tillë, siç e kemi sot këtu, me gjithë këto mangësi, dhe ju si trup gjykues duhet t’i nënshtroheni rrezikut. Është më mirë t’i nënshtroheni rrezikut se të dënoni një të pafajshëm” – tha Kelmendi.

Tutje nga banka e të akuzuarit u ngrit Gëzim Retkoceri që para gjykatës, duke ju drejtuar të gjithë palëve, të paraqes fjalën e tij përfundimtare.

Në fjalën e tij ai tha se dëshiron vetëm drejtësi e asgjë tjetër.

“Mu mundeni me më bo çka të doni. Mundeni edhe me më dënu, po veç një sen mos e harroni se unë Naim Hajrizin nuk e kam mbytë. Unë që 13 vjet e 8 muaj veç qit gajle e kam, veç për me dalë e vërteta në këtë punë” – tha Retkoceri.

Ky rast nga Apeli me ankesë nga palët është kthyer dy herë në rigjykim.

Gëzim Retkoceri po akuzohet se me datë 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur, e kanë rrëmbyer e pastaj e kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizi, të cilin e kanë goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e me qëllim që të fshehën gjurmët edhe e kanë djegur atë.

Në këtë rast i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas deklarimit të tij mbi veprën të njëjtit i është ri-cilësuar vepra në dhënie të ndihmës për kryerje dhe i është shqiptuar dënimi me 10 vite burgim.

Ndërsa, Retkoceri në gjykimin paraprak ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 viteve.

Aktgjykimi i fundit në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja andaj tani edhe është duke u rigjykuar.

Raportimet e KALLXO.com në lidhje me këtë rast i gjeni KËTU.