Shefqet Kabashi duke dhënë dëshminë në Gjykatën Speciale - Foto: Screenshot

Shefqet Kabashi në Speciale: Doja të ndaloja vrasjet, nuk mund të vrisja me gjakftohtësi

Shefqet Kabashi ka vazhduar dëshminë e tij në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Duke u përgjigjur pyetjeve të avokatit të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, Shefqet Kabashi ka treguar se ai nuk kishte pasur përvojë ushtarake kur ishte kyçur në UÇK sepse kishte qenë vetëm 21-vjeç asokohe.

Ai pohoi se kishte qenë në Shqipëri para se të kyçej në UÇK dhe se kishte këmbëngulur të shkonte në front.

Dëshmitari Shefqet Kabashi gjithashtu konfirmoi se disa nga ushtarët i kishin raportuar Lahi Brahimajt, disa Ramush Haradinajt dhe tjerët Alush Agushit.

Kabashi pretendoi se njerëzit e përdornin UÇK-në si mburojë personale.

Më tutje ai foli për veprimtarinë e ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe tregoi se edhe familja e tij ishte mbështetëse e tij.

“Kjo (përkrahja ndaj LDK-së) nuk më pengoi të isha pjesë e UÇK-së” – sqaroi Shefqet Kabashi.

Ai gjithashtu tregoi se kishte qenë në Burgun e Dubravës në kohën kur forcat serbe kishin kryer masakrën ndaj të burgosurve shqiptarë.

Tutje, Shefqet Kabashi tha që ndaj tij ka një urdhër nga INTERPOL-i dhe se po të vinte në Evropë do të arrestohej.

Dëshminë Kabashi e ka dhënë përmes videolidhjes.

Mbrojtësi i Thaçit, Gregory Kehoe ia kujtoi Shefqet Kabashit se në dy deklaratat e kaluara, të dhëna në Tribunalin Penal për ish-Jugosllavinë, në gjykimin e Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, ai nuk e kishte përmendur se kishte marrë urdhër nga Alush Agushi për ta vrarë Fadil Gashin.

“Në vitin 2007 u largova nga gjykata, në 2004-tën nuk e di që me kanë pyetur për këtë mirëpo në deklaratën time përpara kësaj gjykate e thashë të vërtetën” – u përgjigj Shefqet Kabashi.

Prokurori e pyeti nëse këta urdhra (për të ekzekutuar persona të ndryshëm), të cilët nuk u zbatuan nga dëshmitari, iu dhanë dikuj tjetër.

Dëshmitari tha se nuk e dinte këtë gjë.

“Doja te ndaloja vrasjet, ta rregulloja problemin mes nesh. Nuk mund të vrisja me gjakftohtësi. Rrok Berisha në atë kohë ishte deputet i LDK-së, kur mora urdhrin për Rrok Berishën tentova të gjej mënyrën që të informohna se pse po ndodhnin këto gjëra” – tha më tutje Shefqet Kabashi.

Mbrojtësi i Kadri Veselit, Ben Emmerson, nuk pati pyetje për dëshmitarin Shefqet Kabashi.

Më tutje Shefqet Kabashi tregoi për atë që ai e quajti një “tip shtëpie” në Jabllanicë duke refuzuar që të njëjtën ta quante burg.

“Nuk ishte burg, mund të lëviznim. Në të njëjtin vend kemi qëndruar edhe ne [ushtarët]. Ishte një lloj baze” – tregoi ai.

Ai u pyet nga mbrojtësi i Rexhep Selimit, Gregory Hogberts, nëse kushdo mund të hynte e të dilte nga aty.

Dëshmitari u përgjigj se “nuk ishte pikërisht ashtu”, dhe se hyrja lejohej për fshatarët por jo edhe për njerëzit që nuk i njihnin.

Shefqet Kabashi tha se shtëpia e Lahi Brahimajt ishte 1 kilometër ose 1 kilometër e gjysmë larg nga aty.

Mbrojtësi i Selimit gjithashtu e përmendi se nuk kishte dëshmi të shkruar për urdhrin për vrasjen e Fadil Gashit deri në vitin 2019 kur kjo gjë u përmend në televizion.

Dëshmia e Shefqet Kabashit vazhdon edhe nesër.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.