Shaban Gogaj: Rasti ka ndodh pa dashje dhe nuk ka si ndryshe

I akuzuari për vrasjen e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj sot është deklaruar në fjalën përfundimtare që po mbahet pranë Gjykatës së Pejës.

“Ky rast çka ka ndodh ka ndodh veç pahiri dhe nuk ka si del ndryshe, ju mundeni gjithqysh mem dënu nuk është asnjë pikë problem, dënimi jem është qat ditë kur dal prej burgut dhe shkoj në kompaninë Gogaj dhe nuk e shoh  më Agonisin, ky është dënimi im”- tha Shaban Gogaj.

Ai shtoi se i vije keq për rastin që ka ndodhur.

“Prej një hajgare me ndodh kjo tragjedi askush nuk e ka prit”- tha Gogaj.

Kurse mbrojtja e palës së dëmtuar ka kërkuar nga gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor për vrasje të rëndë duke ja numëruar gjykatës edhe arsyet që sipas tij duhet pas parasysh gjykata me rastin e matjes së dënimit.

Gjatë fjalës së tij përfundimtare ai tha se gjykata e Pejës ka treguar shembull se si duhet udhëhequr një proces në mënyrë të paanshhme.

“Ju sot mund të jeni shmebull që mund të dëshmoni se sistemit të drejtësisë mund t`i besohet, dhe t`i dëshmohet se askush nuk mund të ndikoj në sistem pa marrë parasysh fuqinë financiare” tha Tmava.

Ai tha se viktima është vrarë në vendin e punës, dukë lënë dy fëmijë duke shpresuar që një ditë do ta takojnë babanë e tyre.

Tmava tha se mjafton videoincizimi në shkresat e lëndës për të vërtetuar akuzën.

Prokurori po ashtu kërkoi që Shaban Gogaj të dënohet për vrasje të rëndë, duke ja renditur gjykatës rrethanat që duhet marrë parasysh më rastin e matjes së dënimit.

Gjykimi është duke vazhduar.

Shpërthen në lot nëna e Agonis Tetajt, mbrojtja e palës së dëmtuar: Sot jo vetëm Peja por krejt Kosova i ka sytë në këtë gjykatë

Pas më shumë se 4 vitesh nga vrasja e Agonis Tetajt, këtij procesi gjyqësor po i vjen fundi.

Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor.

Për vrasjen e tij po ngarkohet djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.

Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.

Aktakuza ishte ngritur për vrasje të rëndë nga prokurorja Gashi, ndërsa ishte përfaqësuar nga prokurori Agron Uka i Gjilanit.

Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.

Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.

Akuza ishte ricilësuar në seancën e fundit gjyqësore nga prokurori Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit.

Isuf Tetaj, në shkrimin publik drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, mediave dhe ambasadave, ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit, i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.

Për këtë rast pastaj dolën edhe detaje te reja.

Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe Besnik Berisha, avokati mbrojtës Shaban Gogajt, i akuzuar në këtë rast, u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.

Kjo fotografi u publikua në KALLXO.com disa ditë pas rikualifkimit të vrasjes nga prokurori Uka.

Edhe Kryeprokurori i Shtetit në atë kohe, Aleksandër Lumezi, kishte reaguar duke përjashtuar prokurorin Agron Uka nga rasti, dhe çështjen ia kishte kaluar një prokurori tjetër.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte kërkuar gjithashtu edhe që Gjykata e Pejës të mos e shpallë të përfunduar shqyrtimin, por të marrë prova të reja për zbardhjen e rastit.

Në njërën anë kryeprokurori kërkonte të merreshin prova të reja, në anën tjetër gjykimi kishte përfunduar me pranimin e fajësisë nga Shaban Gogaj për akuzën e re të ricilësuar nga prokurori Uka.

Në ditën e shpalljes së vendimit, Gjykata e Pejës në trupin gjykues të kryesuar nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova kishte vendosur të rihapë shqyrtimin, duke revokuar edhe vendimin për pranimin e fajësisë së Gogajt.

Gjykata po ashtu i kishte dhënë afat prokurorisë që të paraqes provat e reja.

Vendimin për rihapje, avokati Berisha e konsideroi të kundërligjshëm duke thënë se kjo do të lë njollë në sistemin e drejtësisë.

Gjykimi pastaj vazhdoi me prokurorin e ri, Isuf Sadiku, i cili ndryshoi aktakuzën duke qëndruar pranë akuzës fillestare asaj për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.

Me rastin e procedimit të dëshmitarëve, gjykata ka marrë një vendim që përjashtoi mbrojtësin Besnik Berisha nga e drejta për mbrojtje e Shaban Gogajt.

Paraprakisht Berishës iu shqiptua gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë në gjykatë, e kjo gjobë u vërtetua nga Gjykata e Apelit.

Prej momentit kur Berisha u përjashtua nga e drejta e mbrojtjes, gjykimi ishte përshkruar me zvarritje të shumta.

Vetë Gogaj nuk pranonte asnjë avokat tjetër përveç Berishës, e në anën tjetër edhe Oda e Avokatëve të Kosovës nuk pranonte të caktonte avokat tjetër sipas detyrës zyrtare.

Nga OAK ishte marrë vendim për këtë çështje, e avokatët ishin paralajmëruar se kush nuk e respektonte atë vendim do të përgjigjej për shkelje disiplinore.

Në këtë situatë procesi gjyqësor ndaj Shaban Gogajt u bllokua për 9 muaj me radhë.

Reagime të shumta për këtë vendim të OAK pati edhe nga Ministria e Drejtësisë.

Deri te zhbllokimi i procesit erdhi pasi Oda e shfuqizoi vendimin e saj për moscaktim të avokatëve.

Edhe në këtë situatë prapë gjykata nuk po arrinte të siguronte mbrojtjen e Gogajt, pasi avokatët që caktoheshin tërhiqeshin për arsye të ndryshme.

Avokatet e caktuar në këtë proces nga gjykata shumë prej tyre ishin tërhequr pasi Gogaj nuk i pranonte si avokat, madje njeri prej tyre edhe pse kishte pranuar ishte tërhequr nga mbrojtja pasi sipas tij ishte kanosur nga vetë Shaban Gogaj.

Gjykimi u zhbllokua javën e kaluar kur avokatja Sabrije Abazi pranoi ta mbronte Gogajn edhe pse ky i fundit nuk e pranonte atë.Në seancën e fundit gjykata kishte ftuar dy dëshmitarë dhe ishte bërë leximi i provave për të vazhduar sot me fjalën përfundimtare.

Gogaj nuk kishte pranuar që në këtë seancë të deklarohej për fajësinë, e po ashtu tha se ai nuk pranon asnjë avokat tjetër përveç Besnik Berishës.

Kundërshtime pati edhe nga i akuzuari për armëmbajtje, Isuf Cacaj, i cili kërkoi nga gjykata që atij mos t’i drejtohej me pyetje.Sot pritet që gjykimi të përfundojë më fjalën përfundimtare të palëve në procedurë. Pastaj sipas dispozitave ligjore, gjykata ka 3 ditë afat për shpalljen e aktgjykimit.

Gogaj po mbahet në paraburgim prej ditës kur ka ndodhur vrasja e Agonis Tetajt.

Aktakuza që e ngarkon Shaban Gogajn

Sipas aktakuzës se prokurorisë, në vitin 2019, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxorri revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.