Gjykimi për rrëmbim - Foto: KALLXO.com
Rrëmbimi në Prizren më 2001, dosja e Prokurorisë: Familja e viktimës pagoi 420 mijë marka për lirimin e saj
Ajrush Amzi është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u përballur me akuzën për rrëmbim.
Sipas Prokurorisë, Amzi dyshohet se në vitin 2001, në Prizren, ka ndihmuar të pandehurit e tjerë Naim Palla dhe Orhan Çakër në kryerjen e veprës penale – rrëmbim.
Aktakuza thotë se Ajrush Amzi u ka ofruar Pallës dhe Çakërit shtëpinë e tij në dispozicion, brenda së cilës e kanë mbajtur të izoluar të dëmtuarën P.K., për një periudhë prej 1 muaji.
Më pas të tre të pandehurit në këmbim të shumës prej 420 mijë marka gjermane e kanë liruar të dëmtuarën.
Lidhur me këto akuza, në shqyrtimin fillestar, i pandehuri nuk e pranoi fajësinë.
Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, njoftoi të pandehurin se kanë të drejtë të parashtrojnë kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Paraprakisht, në këtë seancë Nazmi Mustafi, avokat i të akuzuarit, kërkoi veçimin e procedurës ngase i njëjti më herët ishte dëgjuar në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues ndërkaq tani si i pandehur.
Këto pretendime i kundërshtoi Genc Nixha, prokuror i çështjes, i cili deklaroi se Amzi ka qenë i dyshuar për veprën e rrëmbimit dhe fillimisht është marrë në pyetje si i pandehur e më pas i është dhënë cilësia si dëshmitar bashkëpunues i Prokurorisë.
Prokurori më tej ka arsyetuar se pas deklaratës së dhënë nga i pandehuri është bërë ricilësimi nga vepra penale e rrëmbimit në ndihmë të rrëmbimit.
Sipas aktakuzës, Ajrush Amzi, në vitin 2001, në shtëpinë e tij e cila gjendet në Prizren ndihmon të pandehurit Naim Palla dhe Orhan Cakër në kryerjen e veprës penale të rrëmbimit.
Tutje thuhet pasi të pandehurit e kanë rrëmbyer të dëmtuarën P.K., i pandehuri u ka ofruar në dispozicion shtëpinë e tij brenda së cilës e kanë mbajtur të izoluar të dëmtuarën për një periudhë prej 1 muaji.
Sipas Prokurorisë në momentin kur të pandehurit Naim Palla, Orhan Çakër dhe Deniz Palla kanë pranuar shumën prej 420 mijë marka gjermane nga familja e viktimës e kanë liruar atë.
Me këtë, sipas Prokurorisë, Ajrush Amzi, ka kryer veprën penale të rrëmbimit.
Fillimisht, i akuzuar për këtë rast ka qenë vetëm Naim Palla për të cilin është duke u zhvilluar procedura, ndërkaq më 28 korrik 2023, është ngritur aktakuzë edhe ndaj Ajrush Amzit.