Foto: KALLXO.com

Rrëfimet e dëshmitarëve se si i morën vizat italiane nga të akuzuarit e grupit të Ukë Rugovës

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës, Astrit Haraqisë, Izet Beqirit, Florian Petanit e Qefser Bahollit vazhdoi me dëgjimin e 4 dëshmitarëve.

Pesë të akuzuarit duke përfshirë edhe djalin e ish-presidentit Rugova, akuzohen për sigurimin e 500 vizave italiane Schengen në mënyre të parregullt.

Aktakuza thotë se ata i kane përfshirë edhe 500 persona si familjarë të familjes Rugova me qëllim të përfitimit të këtyre vizave.

Dëshmitari Abedin Gola, deklaroi në Gjykatë se vetëm Astrit Haraqinë e njeh nga të akuzuarit, pasi janë komshinj.

“Në vitin 2013/14 me Astritin kam biseduar për çështjen e vizës, të cilin e kam pyetur nëse mundet me ma rregullu një vizë për 2 javë,. Astriti më ka thënë jepja pasaportën dhe 2 foto shoferit tim Edi Kuçit”, tha dëshmitari Gola.

Dëshmitari tregoi se vizën italiane nuk e kishte marrë, dhe se e kishte kërkuar pasaportën te tani i akuzuari Astrit Haraqia.

“Pas tri jave kam filluar punën në KEK, unë kërkova vetëm pasaportën time të cilën e kam marrë nga Astriti, i cili më tha se Edi e ka atë, dhe pasi Edi ishte jashtë shtetit, pasaportën e kam marrë nga babai i tij”, tha Gola.

E kur gjykata i prezantoi disa dokumente, si formularin për aplikim për vizë, policën e sigurimit, letër rekomandimin, i njëjti deklaroi se nuk i kishte dorëzuar këto dokumente.

Ndërsa në fund u deklarua se nuk e ndjen vetën të dëmtuar dhe se ndihet borxhli ndaj Astrit Haraqisë për shpenzimet që i ka bërë për dokumentet e lartpërmendura, për të cilat dëshmitari deklaroi se nuk i kishte dorëzuar.

“Nuk ndihem i dëmtuar. Përkundrazi i paskam borxh Astritit”, tha dëshmitari Abedin Gola.

Dëshmitari Shpëtim Jaka, veteran i luftës për gjykatën rrëfeu për njohjen e tij me të akuzuarin Astrit Haraqia

“Me Astrit Haraqinë jam shok që nga fëmijëria”, tha Shpëtim Jaka.

Ai deklaroi se pasi kishte një problem me shëndetin mendor, babai i tij e kishte lutur tani të akuzuarin Astritit Haraqia t`i ndihmonte rreth një vize për ta dërguar tani dëshmitarin për shërim jashtë vendit.

“Kam pasur një problem shëndetësor. Babai im ka kërkuar ndihmë nga Astriti për vizë. Në restorantin “Ultra” babai im kishte lënë vetëm pasaportën time”, tha dëshmitari Jaka.

Ndërsa për vizën italiane tha se ishte multi me vlefshmëri 30 ditë.

Jaka, nuk u deklarua më shumë për vizën italiane pasi me këtë punë ishte marrë babai i tij tani i ndjerë.

I pyetur nga gjykatësi Vesel Ismaili, se: “A ka paguar diçka babi juaj, për këtë vizë?”.

Dëshmitari Jaka u përgjigj se: “Jo baba m`ka thanë se edhe biletat i ka pagu Astriti”.

Edhe dëshmitari Halil Mala, deklaroi se nga të akuzuarit njeh vetëm Astrit Haraqinë, pasi të dy vijnë nga Gjakova.

Ai tregoi për gjykatën se kishte marrë vizën italiane në vitin 2013 nga dëshmitari paraprak Edmond Hoxha.

“Në vitin 2013, kam marrë një vizë italiane, sepse kam punuar në firmën “Studio Disgn”, me pronar Edmond Hoxhën. Edmondi ma ka kërkuar pasaportën dhe 2 foto me ma rregullu një vizë”, tha dëshmitari Mala.

Tutje dëshmitari deklaroi se këtë vizë e kishte marrë pas një muaji.

“Pas një muaji më ka sjellur pasaportën me vizë, ku fillimisht kam shkuar në Itali, pastaj në Zvicër”, tha dëshmitari Mala.

I pyetur nga prokurorja e rastit Florije Shamolli, se: “A ka biseduar me ju Edmondi, se si ju ka rregullu vizën, a e ka përmend Astritin?”.

Dëshmitari Mala u përgjigj se: “Edmondi me mua nuk ka folur për Astrit Haraqinë”.

Pasi që dëshmitari Mala, me profesion ishte këngëtar, ai kishte udhëtuar shumë herë në Zvicër dhe Gjermani, andaj edhe u pyet nga prokurorja Shamolli se: “Pasi ju keni përvojë me viza, pse ia dhatë pasaportën Edmondit?”.

Dëshmitari Mala u përgjigj se: “Na këngëtarët jemi mësu me bakshishe, e kjo puna e vizës më është dukur bakshish”.

Ai gjithashtu deklaroi se nuk kishte paguar asgjë për rregullimin e vizës, dhe nuk e ndjen vetën të dëmtuar.

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve për vizat italiane, Gjykata veçoi procedurën

Ndërsa, dëshmitari i fundit për seancën e sotme Mejdi Tishuki, deklaroi se vizën italiane që kishte marrë në 2013, e kishte marrë nga një person i panjohur për të cilën kishte paguar shumën prej 3,500 euro.

Ai tregoi për gjykatën se me këtë vizë kishte shkuar për dy javë në Itali e pastaj në Zvicër ku kishte qëndruar 1 vit në mënyrë ilegale.

“Kam shkuar në Itali e pastaj në Zvicër, kam qëndruar 1 vit ilegalisht, në të zezën”, deklaroi dëshmitari Tishuki.

Ai deklaroi para gjykatës se nuk e njeh asnjërin nga të akuzuarit.

Gjykimi ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve për vizat italiane, Gjykata veçoi procedurën

Seanca e radhës u caktua për datën 26 shkurt.