Prokurorja kërkon dënimin e ish-drejtorit të Arsimit në Komunën e Drenasit

 

Ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj, është ulur në bankën e të akuzuarit si i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria po akuzon Sadik Tahirajn se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas, i kishte kaluar kompetencat e tij duke i mundësuar vetës ose organizatave të biznesit “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” Sh.P.K, me qëllim të përfitimit të çfarë do dobie për veti ose për organizatën e biznesit.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor vazhdoi me dhënien e fjalës përfundimtare nga palët.

Prokuroja e shtetit, Dulina Hamiti,  në fjalën përfundimtare deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor në mënyrë të plotë është vërtetuar se i akuzuari Sadik Tahiraj, deri sa ishte në pozitën drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Komunën e Drenasit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veti apo organizatën e biznesit, ashtu siç është përshkruar ne dispozitivin e aktakuzës.

“Ne mbetemi në tërësi pranë aktakuzës, ngase është vërtetuar në mënyrë të plotë se i akuzuari Sadik Tahiraj, ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe i propozojmë gjykatës që të akuzuarin Sadik Tahiraj, ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit”, shtoi në fund prokurorja.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sadik Tahiraj, avokati Blerim Qela në fjalën përfundimtare të tij deklaroi se “sa i përket renovimit të kulmit të SHFMU “Rilindja”, në Dobroshevcë, u vërtetua shume kjartë se Sadik Tahiraj nuk ka kurrfarë përgjegjësie, sepse nuk ka nënshkruar dokumente si fatura, kontrata apo çfarë do marrëveshje me punë kryesin dhe se gjatë periudhës sa ishte drejtor i DKA, asnjëherë nuk kishte kërkuar punëkryesi këtë kompensim.

Më tutje shtoi se në rastin konkret, veprës se kualifikuar penale siç u theksuar më lartë, i mungon dashja e cila me këtë aktakuzë absolutisht nuk është dëshmuar dhe precizuar në mënyrë konkrete, e gjithashtu i mungon edhe pasoja.

“Asnjë pasojë nuk është shkaktuar me këtë veprim, pra me ndërtimin e depos për dru dhe qymyr në shkollën fillore dhe të mesme të ulët Rasim Kiçina, në Drenas, që si rrjedhojë prokuroria e shtetit e kualifikon si vepër penale dhe se në rastin konkret cilat elemente do të përbënin figurën e veprës penale, gjë që këto elemente i mungojnë veprës penale sepse pikërisht Komuna e Drenasit ka përfituar, ndërsa në rastin konkret te renovimi i kulmit të shkollës ka lejuar qëllimisht inkasimin e faturës së parregullt”, tha ai.

Avokati Qela i propozoi gjykatës në fund, që me rastin e nxjerrjes së vendimit, të akuzuarin Sadik Tahiraj, ta liroj nga përgjegjësia për veprën penale, dhe atë ta shpallë të pafajshëm në mungesë të provave dhe të nxjerr aktgjykim lirues pasi në këtë procedurë nuk është provuar se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Fjalën e tij e përkrahu edhe Sadik Tahiraj, i cili  shtoi se “Në këtë rast Komuna e Drenasit nuk është dëmtuar asnjë mënyrë dhe unë si DKA nuk kam përfituar në asnjë mënyrë dhe jam pezulluar nga puna më shumë se 18 muaj, dhe i propozoj trupit gjykues që të merr një vendim t ë drejte lirues sepse gjatë shqyrtimeve gjyqësore nuk është provuar me asnjë provë e asnjë dëshmi që unë kam dëmtuar Komunën e Drenasit”, shtoi Tahiraj në fund.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 5 mars 2020, ora 13:00.

Dosja e Prokurorisë e ngarkon Tahirajn se pa përfillur procedurat e tenderimit kishte angazhuar kompanitë “A&I Group” SH.P.K dhe “Al Trade” Sh.P.K. për ndërtimin e depos për dru dhe thëngjill të shkollës fillore “Rasim Kiçina” në Drenas dhe rregullimin e kulmit të shkollës fillore “Rilindja” në Dobroshec.

Sipas aktakuzës, pa u përfillur procedura e tenderimit, është lidhur marrëveshja e mirëkuptimit në mes Sadik Tahirajt dhe “Al Trade” për furnizimin me material për ndërtimin e depos për thëngjill në shkollën “Rasim Kiçina” për të cilën është dashur Komuna e Drenasit të paguajë shumën prej 8,543.31 euro.

Ndërsa me “A&I”, Sadik Tahiraj kishte lidhur marrëveshje mirëkuptimi për rregullimin e kulmit të shkollës fillore “Rilindja” pa përfillur procedurat e tenderimit, për të cilën Komuna e Drenasit kishte paguar 17,043.50 euro.

Nexhat Demaku rrëfehet në Gjykatë për punësimin pa konkurs për të cilin akuzohet