Foto: KALLXO.com

Nexhat Demaku rrëfehet në Gjykatë për punësimin pa konkurs për të cilin akuzohet

Ish-kryetari i Drenasit nga radhët e PDK-së, Nexhat Demaku, ka folur në Gjykatë për atë që akuzohet – punësimin pa konkurs të Mimoza Berishës.

Për keqpërdorim të detyrës zyrtare bashkë me Demakun po gjykohet edhe drejtori i Drejtorisë së  Arsimit të Drenasit, Sadik Tahiraj.

Rasti për të cilin po gjykohen dy të pandehurit ka ndodhur gjatë kohës kur Nexhat Demaku ishte kryetar i Komunës.

Pasi rrëfeu për kohën sa ishte kryetar – 8 vite, Demaku tha se detyrat dhe kompetencat e tij ishin rregulluar me një rregullore të UNMIK-ut, me ligjin për vetëqeverisje lokale dhe statutin  e Komunës.

Ai tregoi se kë ka të drejtë ta punësojë si kryetar.

“Kryetari i Komunës përveç stafit politik që bën emërimin dhe shkarkimin nuk ka të drejtë të marrë apo largojë punëtorë-shërbyes civilë nga puna”, tha i akuzuari.

Ndërsa kur u pyet për zyrtaren Mimoza Berisha, ish-kryetari tha se atë e njeh dhe se ajo është punësuar gjatë mandatit të saj.

E rreth punësimit të saj si inspektore e tregut, Demaku tha se për mënyrën e punësimit të saj është interesuar pasi ka filluar kjo çështje penale.

Megjithatë, ai tha se për Mimoza Berishën ka qenë një transfer i brendshëm, nga sektori i arsimit në sektorin e  inspeksionit, “për faktin se Drejtoria e Inspektoratit ka kërkuar drejtor të inspektoratit”.

Ndërsa lidhur me nënshkrimin e akt-emërimeve të shërbyeses civile, Mimoza Berisha, i akuzuari tha se të gjitha akt-emërimet e përgatitura nga zyra e personelit janë sjellë tek ai për nënshkrim.

I pyetur se a ka pasur ndonjë konflikt interesi apo obligim ndaj saj apo të afërmeve të saj që të njëjtën ta punësojë,  i akuzuari Demaku u përgjigj me “jo”, duke shtuar se atë e ka njohur pasi ka filluar të punojë në Komunë.

Ndërsa i pyetur nëse i bashkakuzuari Sadik Tahiraj ka përfituar diçka nga punësimi I Mimoza Berishës, i akuzuari Demaku deklaroi se Tahiraj nuk ka përfituar asgjë.

Lidhur me dy akt-emërimet i akuzuari u pyet edhe nga prokurorja Dulina Hamiti. I pandehuri e pranoi se i ka nënshkruar dy akt-emërimet për Mimoza Berishën për pozitën e inspektorit.

Prokurorja e pyeti të akuzuarin a ka pasur konkurs të shpallur për pozitën në të cilën është emëruar Mimoza Berisha, ndërsa Nexhat Demaku tha se nuk e di a ka pasur, pasi akt-emërimi është dokument final “dhe unë i kam nënshkruar akt-emërimet për të gjithë punëtorët”.

Ndërsa kur u pyet se a kishte nënshkruar vendimin për transferimin e Mimoza Berishës nga shkolla “Ali Gashi” në Drejtorinë e Inspeksionit, i akuzuari Demaku tha se “me sa e di nuk e kam nënshkruar”.

I pyetur se a qëndron pranë deklaratës së dhënë në Polici dhe Prokurori, i akuzuari Demaku deklaroi se qëndron pranë tyre.

Seanca e radhës është caktuar për datën 17 janar 2020.

Në bazë të aktakuzës, Nexhat Demaku, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Drenasit e ka keqpërdorur detyrën zyrtare ashtu që në mars të vitit 2015 ka lëshuar ‘akt-emërimi’ punëtores Mimoza Berisha për pozitën inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit.

Kjo ka ndodhur duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit, pa konkurs publik, duke i shkaktuar dëm Komunës së Drenasit në vlerë prej 18,309.01 euro.

Ndërsa, sipas Prokurorisë, Sadik Tahiraj në cilësinë e drejtorit të Arsimit në Komunën e Drenasit, në mars të vitit 2014 i ka lëshuar kontratë pune për mësimdhënës Mimoza Berishës, si edukatore, në shkollën e mesme të ulët “Ali Gashi” në Drenas.

Kjo sipas Prokurorisë ka ndodhur pa konkurs publik dhe pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit. Kështu, Komunës së Drenasit i ka shkaktuar dëm të buxhetit në vlerë prej 756.18 euro.