Hage: Seanca e Apelit ne rastin e Salih Mustafes

Prokuroria: Aktgjykimi dënues kundër Salih Mustafës duhet të mbetet në fuqi

Prokurori Cezary Mihailzcuk është shprehur se aktgjykimi dënues ndaj Salih Mustafës duhet të mbetet në fuqi, dhe ky vendim duhet të merret për bazë me arsyetimin se është i mbështetur në prova të besueshme.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten është mbajtur seanca e apelit në çështjen e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Ish-komandant “Cali” në dhjetor të vitit 2022 u dënua me 26 vjet burgim për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve, dhe vrasjen e një të burgosuri.

Në fjalën e tij, prokurori Mihailzcuk mes tjerash ka theksuar se Salih Mustafa ka pasur mundësinë të përdorë një gjykim të drejtë dhe t’i kundërshtojë akuzat në fjalë dhe të paraqesë dëshmi.

Ai ka deklaruar se aktgjykimi dënues ndaj Mustafës duhet të mbetet në fuqi pasi është mbështetur në prova të besueshme.

Në lidhje me argumentet e mbrojtjes së Mustafës për objektet në fshatin Zllash, prokurori Mihailzcuk theksoi se krimet janë kryer brenda një kompleksi të Zllashit.

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u deklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, kur trupi gjykues e shpalli  Mustafën fajtor për krimet e luftës – ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023.

Trupi gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë prej 207  mijë euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.