Gjykimi për fajde - Foto: KALLXO.com

Prizren, dështon të mbahet seanca e gjykimit ndaj të akuzuarit për fajde

Për shkak se Gjykata nuk pati prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt i dëmtuari dhe mbrojtësi i tij seanca lidhur me rastin e fajdes është shtyrë.

Në këtë çështje i pandehuri Artan Hasani po dyshohet nga Prokuroria se ka pranuar shuma joproporcionale duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit.

Një shumë prej 3 mijë eurosh u kërkua nga K.SH., për të rregulluar një vizë pune, por borxhi arriti në total 125 mijë euro për shkak të kamatave.

Të enjten ishte paraparë që të mbahej shqyrtimi fillestar për këtë rast mirëpo gjykatësi Artan Sejrani konstatoi se nuk ka prova se janë ftuar në mënyrë të rregullt i dëmtuari dhe avokati tij, Nazmi Mustafi.

Si rrjedhojë, seanca tjetër është planifikuar për më 16 tetor 2023.

Sipas Prokurorisë, Artan Hasani nga viti 2020 e në vazhdim deri më 22 nëntor 2022, në fshatin Randobravë kontrakton dhe vazhdon të pranojë një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër.

I njëjti, sipas aktakuzës, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e tij, gjatë periudhës së lartcekur duke e ditur se i dëmtuari K.Sh. e ka gjendjen e rëndë financiare dhe paratë i nevojiten për rregullimin e vizës së punës si dhe duke e ditur se i dëmtuari nuk është duke punuar si pasojë e pandemisë “COVID-19”, i jep borxh me kamata.

Në dosje sqarohet se i pandehuri Artan Hasani fillimisht i jep borxh të dëmtuarit 3 mijë euro me kamata mujore në lartësi prej 25% të borxhit të dhënë.

Për gjashtë muaj, i dëmtuari paguan nga 750 euro në emër të kamatës mujore, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas dosjes, pas dy muajve, të dëmtuarit i jep borxh shumën prej 5 mijë euro me kamatë mujore në lartësi prej 15% të borxhit të dhënë, me ç’rast i dëmtuari paguan nga 750 euro në emër të kamatave mujore.

Tutje në dosje thuhet se pas katër muajve të dëmtuarit i jep borxh shumën prej 10 mijë euro me kamatë 15% të borxhit të dhënë, dhe i dëmtuari paguan nga 2,250.00 euro në emër të kamatës mujore.

Por, sipas Prokurorisë, në momentin kur i dëmtuari nuk ka mundur ta paguajë kamatën mujore, borxhin i pandehuri e ka rritur në 25 mijë euro, duke llogaritur kamatën mujore prej 15% i cili për tre muaj paguan 3,750.00 euro.

Sipas dosjes, i dëmtuari edhe pas dy muajve nuk ka mundur ta paguajë kamatën mujore e as borxhin kryesor, kështu i pandehuri i ka dhënë edhe 5 mijë euro borxh, duke e rritur borxhin kryesor në 30 mijë euro me kamatë mujore prej 15%. Për tre muaj i dëmtuari paguan nga 4,500.00 euro në muaj në emër të kamatës.

Prokuroria pretendon se në momentin kur i dëmtuari për shkak të gjendjes së rënduar financiare ndërpret t’ia paguajë kamatën e kontraktuar, i pandehuri ia rrit borxhin kryesor për 20 mijë euro, duke ia llogaritur kamatën mujore në lartësi prej 25% të borxhit të dhënë, i cili për 3 muaj paguan 28,500.00 euro në emër të kamatës.

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt 2022, pasi që i pandehuri takohet me të dëmtuarin, i pandehuri ia jep të nënshkruajë një letër të dëmtuarit që i dëmtuari i ka borxh shumën prej 68,000.00 e që për këtë borxh ka paguar në emër të kamatës 16,750.00 euro.

“Në total i pandehuri ia llogarit të dëmtuarit edhe borxhin kryesor dhe kamatat e papaguara në vlerë 88,000.00 e që i dëmtuari deri në ditën e lajmërimit të rastit në Polici 8 shtator 2022 ka paguar shumën prej 16,750.00 në emër të kamatës”- thuhet në aktakuzë.

Më datë 22 nëntor 2022, gjatë aplikimit të masave të fshehta i pandehuri i pranon në emër të kamatës edhe 10 mijë euro nga vëllai i të dëmtuarit, më ç’rast arrestohet në flagrancë.

Deri në ditën e arrestimit, sipas Prokurorisë, shuma e përgjithshme e kamatave të papaguara për borxhin e marrë është 125,500.00 euro.

Me këtë, sipas Prokurorisë, i pandehuri Artan Hasani ka kryer veprën penale – fajdeja.

Raportimet e tjera të KALLXO.com për këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.