Ilustrim

Dosja e fajdeve në Prizren: Si arriti borxhi nga 3 në 125 mijë euro

Kushtet e rënda ekonomike, papunësia dhe pandemia Covid – 19, bën që i dëmtuari K. Sh., të kërkojë para borxh nga i pandehuri.

3 mijë euro iu deshën për ta rregulluar vizën, por në emër të kamatave, borxhi i të dëmtuarit në total arriti shifrën 125 mijë euro.

Sipas Dosjes së Prokurorisë, kjo shumë u arrit nga viti 2020 deri më 2022, kur dhe nga Policia Artan Hasani u zu në flagrancë.

Në Dosje sqarohet se i pandehuri, Artan Hasani, fillimisht i jep borxh të dëmtuarit 3 mijë euro me kamata mujore në lartësi prej 25% të borxhit të dhënë.

Për gjashtë muaj, i dëmtuari paguan nga 750 euro në emër të kamatës mujore thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Sipas dosjes pas dy muajve, të dëmtuarit i jep borxh shumën prej 5 mijë euro me kamatë mujore në lartësi prej 15% të borxhit të dhënë, ku i dëmtuari paguan nga 750 euro në emër të kamatave mujore.

Tutje në dosje thuhet se pas katër muajve të dëmtuarit i jep borxh shumën prej 10 mijë euro me kamatë 15% të borxhit të dhënë i cili paguan nga 2,250.00 euro në emër të kamatës mujore.

Por, sipas Prokurorisë, në momentin kur i dëmtuari nuk ka mundur ta paguajë kamatën mujore, borxhin i pandehuri e ka rritur në 25 mijë euro duke llogaritur kamatën mujore prej 15% i cili për tre muaj paguan 3,750.00 euro.

Sipas dosjes i dëmtuari, edhe pas dy muajve nuk ka mundur ta paguajë kamatën mujore e as borxhin kryesor, kështu i pandehuri i ka dhënë edhe 5 mijë euro borxh duke e rritur borxhin kryesor në 30 mijë euro me kamatë mujore prej 15%. Për tre muaj i dëmtuari paguan nga 4,500.00 euro në muaj në emër të kamatës.

Prokuroria pretendon se në momentin kur i dëmtuari për shkak të gjendjes së rënduar financiare ndërprenë t’ia paguaj kamatën e kontraktuar, i pandehuri ia rrit borxhin kryesor për 20 mijë euro duke ia llogaritur kamatën mujore në lartësi prej 25% të borxhit të dhënë i cili për 3 muaj paguan 28,500.00 euro në emër të kamatës.

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt 2022, pasi që i pandehuri takohet me të dëmtuarin, i pandehuri ia jep të nënshkruajë një letër të dëmtuarit që i dëmtuari i ka borxh shumën prej 68,000.00 e që për këtë borxh ka paguar në emër të kamatës 16,750.00 euro.

“Në total i pandehuri ia llogarit të dëmtuarit edhe borxhin kryesor dhe kamatat e papaguara në vlerë 88,000.00 e që i dëmtuari deri në ditën e lajmërimit të rastit në Polici 8 shtator 2022 ka paguar shumën prej 16,750.00 në emër të kamatës”- thuhet në aktakuzë.

Më datë 22 nëntor 2022, gjatë aplikimit të masave të fshehta i pandehuri i pranon në emër të kamatës edhe 10 mijë euro nga vëllai i të dëmtuarit, më ç’rast arrestohet në flagrancë.

Deri në ditën e arrestimit, sipas Prokurorisë shuma e përgjithshme e kamatave të papaguara për borxhin e marrë është 125,500.00 euro.

Me këtë sipas Prokurorisë i pandehuri Artan Hasani ka kryer veprën penale fajdeja.

Shqyrtimi fillestar ndaj të dyshuarit pritet të mbahet nesër.