Aktakuzë ndaj ish-prokurorit Metush Biraj për ryshfet në një rast për drogë

Prokuroria e Gjilanit sot më datë 05.03.2024 ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj ish-prokurorit Metush Biraj për marrje ryshfeti, pasi ishte tërhequr nga një rast për narkotikë në fjalën përfundimtare të rastit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Metush Biraj në cilësi të prokurorit të shtetit në Prokurorinë e Prizrenit, në mes të muajit prill dhe korrik të vitit 2023, ka pranuar ofertën ose premtimin për dhuratë, në shumë prej 20,000 euro.

Sipas dosjes së Prokurorisë, ish-prokurori Biraj e ka pranuar ofertën me kushtin  që gjatë përfaqësimit në Gjykatën Themelore në Prizren, më 31.03.2023, në këmbim të premtimit heq dorë nga ndjekja penale në një rast për narkotikë ndaj të akuzuarve N. O., U. S. dhe A. S.

“Ndërsa, të pandehurit Sh. P. dhe N. O., me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë premtuar dhënien e ryshfetit për personin tjetër – tani të pandehurin M. B., me qëllim që i njëjti, në cilësinë e prokurorit të shtetit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të datës 31.03.2023, të heq dorë nga aktakuza kundër të akuzuarve…”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Ish-prokurori Biraj ishte tërhequr nga rasti për narkotikë në fjalët përfundimtare më 31.03.2023.

Ish-Prokurori Biraj, sipas njoftimit ngarkohet me veprën penale “Marrje Ryshfeti”, kurse të akuzuarit Sh. P. dhe N. O. akuzohen për “Dhënie ryshfeti”.

Metush Biraj kishte qenë prokuror i rastit të Astrit Deharit. Ai më 23.03.2017 kishte deklaruar se hetimet për vdekjen e Astrit Deharit ishin afër fundit.