Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Policia e Kosovës nis fazën testuese të pilot-projektit për kamerat e trupit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga sot ka filluar faza testuese e përdorimit të kamerave të trupit nga Njësia për Kontroll të Autostradave.

Përmes një njoftimi, Policia ka bërë të ditur se përmes projektit të pajisjes së zyrtarëve policorë me kamera të trupit përveç tjerash ka për qëllim që të argumentojë aktivitetet policore që kryhen gjatë detyrës zyrtare në terren.

“Mbështetur në detyrat dhe autorizimet e policisë të parapara me ligj, si dhe me qëllim të rritjes së përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve, e po ashtu rritjes së besimit të qytetarëve ndaj policisë, vite më parë Policia e Kosovës në mbështetje dhe përkrahje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ICITAP dhe INL), kishte filluar pilot- projektin për pajisje të zyrtarëve policorë me kamera të trupit” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia thotë se faza testuese e përdorimit të kamerave të trupit nga Njësia për Kontroll të Autostradave do të vazhdojë më pas edhe me njësitë e tjera policore.