Foto: KALLXO.com

Përfaqësuesi i Ministrisë: Producenti i akuzuar arsyetoi vetëm 45 mijë euro nga 188 mijë

Në gjykimin e aktorit Armond Morina dhe producentit Nehat Fejza, të cilët po akuzohen se nuk realizuan filmat për të cilët u paguan nga Ministria e Kulturës, është paraqitur përfaqësuesi i Ministrisë, Bedri Krasniqi.

Avokati Bedri Krasniqi ishte obliguar në seancën e kaluar që t’ia dorëzojë Gjykatës një raport të protokolluar lidhur me atë se a e ka dorëzuar i akuzuari Nehat Fejza filmin “Power Cuts” në Ministri, ashtu siç ka qenë i obliguar sipas kontratës.

Gjatë seancës, Krasniqi ia dorëzoi Gjykatës një raport që kishte të bënte me një pagesë prej 45 mijë eurove.

Ndërkohë, sipas aktakuzës, për projektin Ministria ia ka paguar kompanisë së të akuzuarit Nehat Fejza 188 mijë euro.

“Shuma prej 45 mijë euro iu ka lëshuar më datën 19.4.2006 producentit Nehat Fejza në emër të projektit dhe se kjo vlerë/shumë konsiderohet e mbyllur për shkak se producenti ka paraqitur faturat me çka ka arsyetuar shpenzimet në shumën prej 45 mije euro. Shumën tjetër ai nuk e ka arsyetuar”, tha Bedri Krasniqi.

Lidhur me kërkesën e Gjykatës se a kishte pranuar Ministria e Kulturës filmin për të cilin ishte paguar i akuzuari, përfaqësuesi i MKRS-së tha se nuk ka të dhëna se filmi i është dorëzuar Ministrisë.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Nehat Fejza, avokati Osman Havolli  tha se pretendimet e palës së dëmtuar për shumën e parave dhe se nuk është realizuar filmi i kundërargumenton eksperti ekonomiko-financiar, në faqen 7 të ekspertizës së fundit, e cila, sipas tij, është në lidhshmëri të plotë me ekspertizën e mëhershme.

“Një kopje e DVD është dorëzuar në Ministri, e regjistruar dhe protokolluar më 10.5.2011, dhe shumat respektivisht shpenzimet janë specifikuar mu në këtë ekspertizë në faqe 7”, tha avokati Havolli.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Armond Morina, avokati Arianit Koci deklaroi se pretendimet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar tani po e kundërshtojnë edhe vetë ekspertizën e ekspertit Xhevdet Krasniqi për shkak se, sipas tij, ne nuk dimë në bazë të çfarë dokumenteve e ka kryer ekspertizën.

“Mirëpo, në anën tjetër, eksperti asnjëherë nuk e ka kontaktuar klientin tim apo kontabilistin e klientit tim që të kërkojë sqarime. Eksperti paraprak, Riza Blakaj, e ka bërë këtë. Prandaj ka edhe kundërshtime në mes të ekspertizave të Riza Blakajt dhe Xhevdet Krasniqit, meqenëse nuk ka kontaktuar fare. Unë e kundërshtoj, dhe e ripërsëris kërkesën time qe të ftohet eksperti Riza Blakaj”, tha avokati Koci.

Në fund, Gjykata refuzoi propozimet për dëgjimin e ekspertit Riza Blakaj si dhe dëshmitares Kimete Berisha, meqë të njëjtit kishin dhënë dëshminë e tyre pranë kësaj gjykate, ndërsa propozimet, sipas gjyqtares Suzana Qerkini vetëm sa do të ndikonin në zvarritjen e procedurës së mëtejme.

Rigjykimi ndaj aktorit dhe producentit për filmat e paxhiruar

Seanca e radhës u caktua më 7 shkurt.

Sipas aktakuzës Nehat Fejza dhe Armond Morina akuzohen për veprën penale mashtrim në detyrë.

Nehat Fejza sipas aktakuzës së ngritur në prill të vitit 2012, akuzohet se duke qenë pronar i kompanisë “Concordia Pictures” me qëllim që të përfitojë pasuri të kundërligjshme ka prezantuar rrejshëm në MKRS shpenzimet për xhirimin e filmit ‘Power Cuts’ që nuk ishte realizuar, duke përfituar kështu shumën prej 188 mijë euro.

Po ashtu, edhe Armond Morina duke qenë pronar i kompanisë ‘Morina Films’ me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë ka prezantuar rrejshëm në MKRS shpenzimet për xhirimin e filmit ‘Mysafiri në sofër’ që kurrë nuk ishte realizuar, duke përfituar 100 mijë euro.

Pas një ankese të Prokurorisë së Prishtinës, Gjykata e Apelit kishte ashpërsuar dënimin ndaj të akuzuarve duke e dënuar Morinën me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht dhe duke e obliguar kompensimin e dëmit në vlerë prej 100.000 euro për Ministrinë e Kulturës, ndërsa Fejza u dënua me 2 vjet burgim me kusht si dhe u obligua në kompensimin e dëmit për Ministrinë në shumë prej 188.000 euro.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë paraqitën Osman Havolli dhe Arianit Koci, mbrojtësit e dy të akuzuarve. Kjo kërkesë u aprovua nga Gjykata Supreme.

Shkak për aprovimin e kësaj kërkese, sipas Supremes, ishin shkeljet esenciale të gjykatave ndaj dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, Ligjit Penal si dhe shkelje të tjera.