I akuzuari për vrasjen e gruas, Bajram Velija - FOTO - KALLXO - 01.10.2021

VIDEO - Momenti kur Bajram Velija dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij

 

Bajram Velija nga Prizreni, është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi Gjykata e Prizrenit e gjeti fajtorë për vrasjen e gruas së tij me 14 plumba.

Bajram Velija sipas prokurorisë në gusht të vitit 2019, disa metra larg shtëpisë së tyre me dashje kishte privuar nga jeta tashmë të ndjerën, gruan e tij A. A.- V.

Gjykata, pas vërtetimit të provave dhe fakteve, pas dëshmisë së dëshmitarëve dhe të dëmtuarve erdhi në përfundim se i akuzuari me dashje ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij.

Në arsyetimin e dhënë, gjykatësja Raima Elezi tha se me veprimet e të akuzuarit është vërtetuar fajësia e tij.

Gjykata gjatë marrjes së vendimit ka marrë parasysh rrezikun e lartë shoqëror të veprës penale, mënyrën e sjelljes së të akuzuarit pas vrasjes së rëndë ku me gjakftohtësi mbulon viktimën dhe pret ardhjen e policisë.

Shpallja e aktgjykimit ndaj Bajram Velija, i akuzuar për vrasjen e gruas, – FOTO – KALLXO – 01.10.2021

Gjykata nuk e ka pranuar mbrojtjen e të akuzuarit se në montimin kritik i është shfaqur një “katror i zi”.

Po ashtu, nga raporti i ekspertëve nuk është gjetur që i akuzuari lëngon apo ka çrregullim mendor.

Shpallja e aktgjykimit ndaj Bajram Velija, i akuzuar për vrasjen e gruas, – FOTO – KALLXO – 01.10.2021

Kujtojmë se në seancën e kaluar, avokati Arianit Koci përfaqësues i palës së dëmtuar kërkoi që të akuzuarit t’i shqiptohet dënimi me burgim të përjetshëm.

 

Kërkohet dënim me burgim të përjetshëm për të dyshuarin për vrasje të gruas

 

“Vrasja e tashmë të ndjerës A. A.- V., është një prej rasteve më brutale në Kosovën e pas luftës, andaj gjykata duhet të përcjellë mesazh se kësi lloj vrasje nuk guxon të ndodhë dhe kushdo që kryen këtë lloj vrasje duhet ta merr dënimin kapital i cili nënkupton burgim të përjetshëm”, kishte deklaruar avokati Koci.

Edhe përfaqësuesja e prokurorisë Ervehe Gashi, në fjalën përfundimtare kishte kërkuar që ndaj të akuzuarit të shqiptohet dënimi maksimal.

Gashi, kishte deklaruar se është vërtetuar gjendja faktike ashtu siç është përshkruar në aktakuzë, duke shtuar se motivi i kryerjes së veprës penale ishte mosmarrëveshja paraprake që kishte këtu i akuzuari me të ndjerën.

Në anën tjetër, i akuzuari Velija për këto pretendime para trupit gjykues e kishte pranuar kryerjen e vrasjes, mirëpo një gjë të tillë ai kishte thënë se e ka bërë pa dashje.

 

Bajram Velija pranon se e vrau gruan

 

Tutje, nga gjykata ai dhe mbrojtësi i tij Orhan Rekathati, kërkuan shqiptimin e një dënimi më të butë duke marrë parasysh ndër të tjera moshën e tij, gjendjen shëndetësore të rënduar si dhe pendimin e thellë për kryerjen e veprës.

Sipas aktakuzës të datës 28 shkurt 2020, Bajram Velija akuzohet se më 6 gusht 2019, në lagjen “Jeta e Re” në Prizren, me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes-bashkëshorten e tij, A. A.-V.

Sipas prokurorisë, pas një mosmarrëveshje paraprake me viktimën, në momentin kur viktima po largohej nga shtëpia e tyre, i pandehuri pajiset me një pistoletë dhe në dalje të shtëpisë ka shtënë 15 herë në drejtim të bashkëshortes së tij, duke e goditur të njëjtën 14 herë në pjesë të ndryshme të trupit.

Pas kryerjes së këtij veprimi, i akuzuari bashkëshorten e tij e mbulon me një fustan të saj dhe pret ardhjen e policisë.

Bajram Velija akuzohet se me këto veprime ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë e cila dënohet me dënim jo më pak se 10 vite burgim apo me burgim të përjetshëm.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, thuhet se deri më 6 gusht 2020, Velija mban në pronësi dhe kontroll pistoletën e tipit “Pietro Beretta Gardone”, disa karikatorë dhe fishekë, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, me të cilën pistoletë prokuroria dyshon se është kryer vepra penale e vrasjes së rëndë.

Me këto veprime, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve për të cilën është paraparë dënimi me gjobë deri në 7,500 Euro ose dënimi me burgim deri në 5 vite.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë ngjarje.

(FOTO) Vendi ku ndodhi vrasja në Prizren