Ilustrim

Koci: Një qen gjendet i vrarë me plumb brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës

Avokati Arianit Koci ka postuar një video në rrjetin Facebook ku shihet një qen i vrarë me armë zjarri brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’, përkatësisht afër Kishës Ortodokse.

“Në qendër të Prishtinës, po duket që dikush me plumb e ka vrarë këtë qenushe. Parmbrëmë. Abuzimi i tmerrshëm i kafshëve, e në veçanti qenve, është njera prej arsyeve që qentë po i sulmojnë njerëzit”- ka shkruar Koci.

Tutje, ai shtoi se policia duhet të nis hetime se kush mund të ketë shkrepur me armë.

“Përndryshe, ai që e gjuan kafshën me plumb, është i rrezikshëm edhe për njerëzit. Policia duhet urgjentisht me i fillu hetimet, nëse nuk i ka filluar deri më tani”- është shprehur tutje Koci.

Avokati pati kritika edhe për komunën, ekipet e të cilës nuk e kanë larguar qenin.

“Në anën tjetër, qenushja po rrin qe dy ditë në këtë vend, dhe asnjë shërbim komunal nuk e ka parë të arsyeshme me e largu trupin i cili tani mund të jetë burim i infeksioneve”- shtoi tutje Koci.

Ditë më parë në Prishtinë nga qentë endacak u sulmua një shtetase e  huaj si dhe një fëmijë.

Komuna e Prishtinës disa herë kanë deklaruar se me ligj nuk kanë të drejtë të kryejë vrasje të qenve, përpos në rastet kur qentë janë agresiv apo të sëmurë (tek të cilët aplikohet eutanazia/vrasje me injektim).

Komuna tash e dy vite ka vënë disa pika ushqyese për qentë endacak nëpër zona të ndryshme te qytetit si dhe ndan buxhet për trajtim (kastrim, sterilizim, vaksinim), por këto masa nuk kanë ndikuar në ulje të numrit të qenve endacak apo sulmeve ndaj qytetarëve.

KALLXO.com është në pritje të ndonjë deklarimi nga ana e policisë në lidhje me rastin