Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Rigjykimi ndaj aktorit dhe producentit për filmat e paxhiruar

Ka dështuar të mbahet të enjten seanca për rastin e kthyer në rigjykim ndaj Armond Morinës dhe Nehat Fejzës të cilët po akuzohen nga Prokuroria për mashtrim lidhur me shpenzimet e fondeve nga Ministria e Kulturës për xhirimin e dy filmave që nuk ishin realizuar.

Shkak për shtyrjen e seancës ishte mungesa e mbrojtësit të Armond Morinës, avokatit Arianit Koci,  i cili në atë kohë ishte në një seancë tjetër.

Në seancë, Armond Morina tha se nuk ishte ne gjendje të deklarohej pa avokatin e tij pasi që e kishte të vështirë t’i parashtrojë pyetje ekspertit për shkak se nuk e njeh natyrën se si duhet të parashtrojë pyetje dhe se nuk ishte i përgatitur në atë aspekt.

Në aktakuzë, Nehat Fejza dhe Armond Morina akuzohen për mashtrim në detyrë.

Nehat Fejza, sipas aktakuzës së ngritur në prill të viti 2012, akuzohet se duke qenë pronar i kompanisë “Concordia Pictures” me qëllim që të përfitojë pasuri të kundërligjshme ia ka prezantuar rrejshëm në Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit shpenzimet për xhirimin e filmit ‘Power Cuts’ që nuk ishte realizuar duke përfituar kështu shumën prej 188,000.00 euro.

Gjithashtu, Armond Morina akuzohet se duke qenë pronar i kompanisë ‘Morina Films’ me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë ka prezantuar rrejshëm në MKRS shpenzimet për xhirimin e filmit ‘Mysafiri në sofër’ që kurrë nuk ishte realizuar duke përfituar 100,000.00 euro.

Seanca e radhës u caktua më 07.12.2019.

Pas një ankese të Prokurorisë së Prishtinës, Gjykata e Apelit kishte ashpërsuar dënimin ndaj të akuzuarve duke e dënuar Morinën me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht dhe duke e obliguar kompensimin e dëmit ne vlere prej 100.000 euro për Ministrinë e Kulturës, ndërsa Fejza u dënua me 2 vjet burgim me kusht si dhe u obligua në kompensimin e dëmit për Ministrinë në shumë prej 188,000 euro.

Kundër këtyre aktgjykimeve, kërkese për mbrojtje të ligjshmërisë paraqitën Osman Havolli dhe Arianit Koci, mbrojtësit e dy të akuzuarve. Kjo kërkesë u aprovua nga Gjykata Supreme.

Shkak për aprovimin e kësaj kërkese, sipas Supremes, ishin shkeljet esenciale te gjykatave ndaj dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, Ligjit Penal si dhe shkelje të tjera.