Foto: KALLXO.com

Gjykimi i ish-inspektorëve të ATK-së dhe menaxherëve të lokaleve të lojërave të fatit, gjyqtari bëhen nervoz nga vonesa e të akuzuarit

Vonesa e njërit prej të akuzuarve për të ardhur në orën e paraparë për fillimin e seancës e ka nervozuar gjyqtarin kryesor, Valon Kurtaj, sa që ka paralajmëruar se atyre që do të vonohen në seancën e radhës do t’u caktohet paraburgimi ose do të vazhdohet me gjykim në mungesë.

“Nuk kemi kohë të merremi me “jo ka harru, jo…”. U caktohet paraburgimi. Ai që mungon në seancën e radhës i caktohet paraburgimi ose vazhdojmë me gjykim në mungesë” – u shpreh gjykatësi Kurtaj pasi Granit Vokshi, avokat i Driton Haxhijës, tha se klienti i tij është vonuar se kishte pasur një fluturim.

Në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Prishtinës sot janë ulur dy ish-inspektorët e ATK-së, Ramadan Ibishi dhe Selatin Hoxha, të cilët po akuzohen për veprën penale – zbulim i fshehtësisë zyrtare, si dhe Skender Fetaj, Arian Kastrati, Driton Haxhija, Ramadan Latifi, Burim Ismajli e Fisnik Ibishi, i pari pronar e të tjerët menaxherë të subjekteve që janë marrë me lojëra të fatit, të akuzuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Kurse Ramadan Latifi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Para se dëshmitarët të fillonin dëshminë pati një ndërhyrje avokati Arianit Koci, i cili mbron të akuzuarin Arian Kastrati.

Avokati Koci u ankua për mungesën e ujit në seancë, fakt të cilin nuk ngurroi ta quante “papërgjegjësi” dhe madje edhe “turp”.

“Është e papranueshme për një kompleks të gjykatave që qytetarëve dhe zyrtarëve të mos u mundësohet një gotë ujë. Kjo është e drejtë elementare të cilin e kanë siguruar në gjykime edhe para 2000 vjetëve. Tash mos me pasë është papërgjegjësi e kujtdo që është përgjegjës. Është turp” – u shpreh Koci.

Kryetari i trupit gjykues e siguroi avokatin se do ta adresojë një ankesë të tillë dhe e ftoi dëshmitarin Xhavit Imeraj që të dëshmojë.

Ky u shpreh se qëndron në plotëni prapa deklaratave të dhëna në Polici dhe Prokurori.

Xhavit Imeraj duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit tregoi se kishte punuar si menaxher në pikën “Kajot” në Mitrovicë, dhe shpjegoi përgjegjësitë e tij.

“Punëtorët m’i menaxhu që kanë punu për lokalin, shërbimet, për lokalin m’u interesu… qito se kohë e gjatë” – u shpreh Imeraj.

Ai tregoi se menaxher i tij kishte qenë Driton Haxhiaj dhe se kishin pasur vetëm një pikë në Mitrovicë.

Tutje, dëshmitari tregoi se nuk kishte qenë përgjegjës për marrjen e licencave dhe se në pikën e tyre ishte luajtur vetëm me lojëra “Kayot”.

“Bastoret kanë ardhur më vonë. S’më kujtohet viti” – shtoi ai më pas.

Ai tregoi se pika e lojërave të fatit në Mitrovicë kishte bashkëpunim me pikat e tjera por nuk e dinte nëse Driton Haxhija ishte përgjegjës edhe për pika të tjera. Ai tha se nuk i kujtohej saktë as nëse kishte lëvizje të aparateve të lojërave të fatit.

Pyetjes së prokurorit nëse ndonjëherë u ishte ndërruar numri serik aparateve, dëshmitari u përgjigj: “Jo, kurrë”.

I pyetur lidhur me pozitën e Skender Fetës në biznes ai u shpreh i pasigurt.

“Për Skender Fetën e di që drejtor ka qenë… u kanë drejtor, si drejtor a diçka ka qenë” – tha Imeraj.

Ai tha se nuk e dinte çfarë raportesh kishin Imeraj me Haxhijën. Dhe shpjegoi se si menaxher ishte edhe Enis Sfirca në këtë biznes kurse barazimin e kryente me Behar Nikçin.

Në dëshminë e tij përmendi se sistem kontrolli i kishin edhe kamerat përveç barazimit.

Ai megjithatë mohoi të ketë qenë menaxher i bastores, por thotë të ketë qëndruar në bastore me shpresën se do ta punësonin meqë kishte nevojë për punë shtesë.

Dëshmitari i dytë ishte Shkëlqim Mazreku.

Ai ka treguar se ka qenë kryepunëtor në “EKKG 2” në Malishevë.

“Besoj se krejt aparatet (e lojërave të fatit) kanë qenë në rregull dhe të licencuara” – u shpreh Mazreku.

Ai thotë se ishte në dijeni për vetëm një pikë – atë në Malishevë, kurse nëse kishte në qytete të tjera nuk e dinte.

Ai u përgjigj se pronar kishte qenë, sipas fjalëve të tij, “njëfarë Skenderi”. Por u shpreh të mos ketë ndëgjuar për të. “E kam pasur dy herë COVID-in, më ka lënë me probleme me kujtesë” – tha ai.

I pyetur nga prokurori nëse emri Denis Çoçaj i thoshte diçka ai u shpreh se “po”, por nuk e dinte çfarë pozite kishte pasur.

Për Ramadan Latifin dhe Arian Kastratin u shpreh se nuk i njeh.

Ai tregoi se kishte pasur bastore afër pikës por ai tha se merrej vetëm me lojërat “Kayot”.

I pyetur nëse e kishin kontaktuar ATK-ja para se të bënin kontrolle ai u përgjigj shkurt: “jo”.

Sipas dëshmisë së dhënë në Gjykatë, Shkëlqim Mazreku thotë të ketë qenë në lokal kur kanë ardhur t’ua marrin ruletin, por më pas thotë ta ketë lënë vëllanë në lokal dhe të ketë shkuar në shtëpi.

“Kam qenë prezent kur është marrë ruleti, por s’e di kush e ka nënshkruar formën” – tha dëshmitari.

Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gjyqtarit kryesor tregoi se ruleti herë punonte, herë nuk punonte, dhe gjithashtu shtoi se nuk e dinte se në emër të kujt ishte llogaria ku ai depononte paratë e qarkullimit ditor të biznesit të lojës së fatit kurse librat ku regjistroheshin “hyrje-daljet” ishin në emër të firmës.

Ai gjithashtu konfirmoi se sipas kontrolleve të mëhershme nga Dogana nuk u ishte gjetur asnjë parregullsi.

Në dëshminë e tij përfshiu edhe informatat se pagat i merrnin “cash”, kurse raportimet për “muajt e mirë dhe të këqij” ia bënin Driton Haxhijës.

Çka thotë aktakuza?

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë me datë 28 maj të vitit 2019, të cilën e kishte deponuar në Gjykatën e Pejës në Departamentin e Krimeve të Rënda kundër Skender Fetajt, Ramadan Latifit, Driton Haxhijajt, Arian Kastratit, Burim Ismajlit, Ramadan Ibishit, Selatin Hoxhës, Fisnik Ibishit.

Sipas aktakuzës, Skender Fetaj, Arian Kastrati e Driton Haxhija në bashkëkryerje e kishin kryer veprën penale Organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm të paraparë me Kodin Penal.

Sipas Prokurorisë, që nga muaji shkurt 2015 e deri më 1 dhjetor të vitit 2016 i pandehuri Skender Fetaj si pronar i biznesit “EGTK II” dhe dy të pandehurit e tjerë si menaxherë, Arian Kastrati dhe Driton Haxhija duke vepruar së bashku me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe të tjerët kanë organizuar ose marrë pjesë në organizimin e lojërave të fatit të cilat sipas Ligjit për Lojërat e Fatit janë të ndaluara në Kosovë.

Në aktakuzë ceket se këta tre të pandehur me dijeni dhe me dashje kanë organizuar lojëra të fatit të ndaluara me ligj duke siguruar numra serik të dublifikuar-falsifikuar të roleteve dhe të aparateve të automateve e këto rolete e aparate me numra të falsifikuar i kanë vendosur në pika të ndryshme e kane krijuar përfitime të kundërligjshme apo fitim në të zezë pasi e gjithë kjo veprimtari ka qenë pa licencë.

Prokuroria evidenton se pas kontrollit me urdhër të gjykatës në tri operacione të ndryshme të zhvilluara me datat 22 dhe 23 prill 2015, 23 prill 2016 dhe 1 dhjetor 2016 në pikat “EGTK II” janë gjetur tri roleta të duplifikuara-falsifikuara të markave AIK 4512, AIK 8, GOLD CLUB 1651 numrat serikë të të cilëve janë gjetur nëpër lokacione të tjera. Tutje thuhet se për këto tri rolete nuk është paguar akciza për secilën ulëse në vlerë të 420 euro në muaj që për të gjitha ulëset për një muaj përbënë shumën prej 5,040 eurove kurse nëse llogaritet detyrimi vjetor atëherë shuma është 60,480 euro.

Kurse, sipas prokurorisë në aksionin tjetër janë gjetur 18 aparate të lojërave të fatit të markës “Kajot” po ashtu të dublifikuara. Në fund, përkatësisht në datën 23 Prill 2015 janë gjetur katër aparate të markës “KAJOT” të palicencuara nga Administrata Tatimore e Kosovës. Të gjitha këto mjete, sipas organit ndjekës, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të shtetit plotë 253,680 Euro.

Pika e dytë e aktakuzës i dedikohet të pandehurve Ramadan Latifi, Arian Kastrati, Driton Haxhija dhe Burim Ismajli të cilët akuzohen se kanë kryer veprën penale Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm e paraparë me Kodin Penal.

Sipas aktakuzës nga fillimi i vitit 2016 e deri më datë 1 dhjetor 2016, në vende të ndryshme në Kosovë, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër në bashkëkryerje pas marrëveshjes paraprake kanë organizuar lojëra të fatit të të ndaluara me Ligj, ashtu që në njësitë e bastores sportive “Planet Win 365″, pronë e Ramadan Latifit, pas koordinimit në mes veti kanë blerë programin për Lojëra “KENO” dhe “Lojëra me QEN”, dhe përmes një personi të quajtur Hekuran, këto lojëra i kanë instaluar në kompjuterë të bastores në vende ku ka më pak kontrolle, si në Drenas, Hajvali dhe në fshatra të rrethit të Pejës dhe Deçanit.

Prokuroria argumenton se kjo vërtetohet nga transkriptet e bisedave të zhvilluara në mes të të pandehurve. Të njëjtët po ashtu me dashje dhe dijeni me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material kanë zhvilluar aktivitete në bastore sportive në pika-njësi të palicencuara nga ATK-ja, kanë mbajtur tavolina të pokerit të cilat janë të ndaluara në Kosovë.

Aktakuza evidenton kontrollin e këtij biznesi me urdhër të gjykatës të kryer me datë 1 dhjetor 2016, ku janë gjetur gjashtëmbëdhjetë njësi të palicencuara.

Ligji për lojëra të fatit obligon që për secilën pikë të re të hapur do të duhej të paguhej shuma prej 5,000 eurove dhe për çdo muaj akciza për nië pike të bastores shuma prej 840 Euro. Sipas aktakuzës shmangia nga detyrimet nga këto subjekte i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit së paku 93,400 Euro, e sipas prokurorisë nëse llogaritet se këto pika kanë funksionuar më gjatë se një muaj rrjedh se dëmi është shumë më i madh.

Pika e tretë e aktakuzës i dedikohet të pandehurit Ramadan Latifi, ai akuzohet se ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve e paraparë me Kodin Penal.

Sipas aktakuzës me datë 1 dhjetor 2016 rreth orës 14:05 minuta, në shtëpinë e tij në Giilan, gjatë kontrollit nga ana e policisë me urdhër të gjykatës, janë gjetur një revole e markës “Herma Werk”, një armë giuetie e markës “Winchester” dhe më se 435 copë fishekë të armës së gjuetisë dhe të revoles e të cilat i pandehuri i ka pasur në pronësi dhe posedim në shkelje te ligjit për armët e tilla.

Pika e katërt e aktakuzës ka të bëjë me akuzat drejtuar Ramadan Ibishit i cili nga prokuroria ngarkohet me veprën penale Zbulimi i fshehtësisë zyrtare e paraparë me Kodin Penal.

Organi shtetëror ndjekës pretendon se nga fundi i vitit 2015 e deri me datën 1 dhjetor 2016, në Prishtinë e gjetiu në Kosovë në cilësi të personit zyrtar si Inspektor i lartë i Administratës Tatimore, në Drejtorinë e lojërave të fatit, me qëllim të përfitimit material pa autorizim ju ka vënë në dispozicion të pandehurve Driton Haxhija dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave te fatit, informatat qe janë fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që përmes telefonit të tij, i pandehuri i ka njoftuar të njëjtët për aksionet e ATK-së se kur dhe ku ata do të dalin në aksion vetëm apo me policinë dhe Doganën e Kosovës, e duke u dhënë edhe udhëzime qe t’i mbyllin lokalet që këta persona do të mund te ju iknin ndëshkimeve apo masave të tjera ligjore për punën e kundërligjshme të tyre.

E pika e pestë e aktakuzës e ngarkon të pandehurin Selatin Hoxha i cili njëlloj si Ramadan Ibishi po akuzohet për zbulim të fshehtësisë zyrtare.

Aty pretendohet se që nga viti 2015 e deri me datën 1 dhjetor 2016, në Prishtinë e gjetiu në Kosovë, si Inspektor i lartë i ATK-së në Drejtorinë e lojërave të fatit, me qëllim të përfitimit material pa autorizim ju ka vënë në dispozicion të pandehurve Driton Haxhija, Arian Kastrati dhe menaxherëve të tjerë të kompanive të lojërave të fatit, informatat që janë fshehtësi zyrtare, përkatësisht përmes telefonit të tij i ka njoftuar personat e paautorizuar – menaxherët e kompanive të lojërave te fatit se në cilat qytete do të dalin inspektorët e ATK-së për inspektim të lokaleve apo edhe është takuar fizikisht me ta për t’i njoftuar për kontrollet e kryera dhe gjobat e shqiptuara duke ju mundësuar të pandehurve të tjerë respektivisht menaxherëve të kompanive të lojërave të fatit që t’i ikin kontrolleve.