Lirohet kosovari që ishte arrestuar nga autoritetet serbe

Është liruar Abaz Beqiraj, personi i cili para dy ditëve ishte arrestuar nga autoritetet serbe në kufirin Serbi-Hungari.

Kështu ka njoftuar avokati i Beqirajt, Arianit Koci.

“Abaz Beqiraj, personi që është arrestuar të dielën nga policia serbe, posa është liruar”, ka thënë avokati.

KALLXO.com kishte raportuar lidhur me rastin.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte reaguar ditën e arrestimit të Beqirajt.

Në një njoftim nga ana e MPJD-së ishte thënë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd kishte vendosur kontaktin me autoritetet serbe dhe se ishte në përpjekje për të sqaruar rrethanat.

Nipi i personit të arrestuar, Arlind Beqiraj, kishte thënë për KALLXO.com se ngjarja ka ndodhur pasi Policia serbe po pretendonte se i arrestuari ka një vepër penale të vitit 2010.

“Është ndalu kinse e ka një vepër penale në vitin 2010”, kishte thënë Beqiraj për KALLXO.com.

Tutje ai kishte treguar se familja e të arrestuarit kanë tentuar të kontaktojnë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, mirëpo të njëjtët nuk ia kanë hapur telefonin.

“Kemi tentu me telefonu me Ministrinë e Punëve të Jashtme, por nuk e kanë hapur telefonin”, pati thënë Beqiraj.

Sipas tij, familjari i tyre është në paraburgim.

KALLXO.com kishte kontaktuar me kompaninë me të cilën ishte duke udhëtuar i arrestuari.

Pronari i kompanisë “Try Tours”, Shaqë Fetaj, kishte thënë se pasagjerin e kanë ndaluar lidhur me një pengesë ligjore që e ka pasur para 12 viteve.

“E kanë ndalu lidhur me një rast të vitit 2010. Diçka tjetër nuk na kanë thanë, ata i kanë procedurat e veta”, kishte thënë Fetaj.

Detaje nga arrestimi i një shtetasi të Kosovës nga autoritetet serbe