Seanca fillestare në gjykimin ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit - 30.12.2019

Ndryshohet aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Gjykimi ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së ish politikanit serb Oliver Ivanoviq, Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Prishtinës.

Shkak për dështimin e kësaj seanca ishte mos pajisja e të akuzuarve me aktakuzën e re dhe shkresat e lëndës në gjuhën serbe.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj tha se: “Ditën e premte, do të thotë këtë të premte, prokuroria e ka dorëzu një aktakuzë të re, të ndryshuar për rastin konkret dhe e kemi pranu aktakuzën e re, e cila ka ndryshime në dispozitivin e parë të aktit akuzues, mirëpo njëkohësisht edhe në arsyetim”.

Më tutje, gjykatësi Valon Kurtaj shtoi se: “Aktakuzën e kemi marr diku në ora 15, nuk kemi mujt me ia ekspedu, s’kemi pas kushte teknike, dhe ka fillu vikendi, njëkohësisht e kemi versionin vetëm në gjuhën shqipe dhe prokuroria s’ka mujt me përkthy me ofru në gjuhën serbe”.

Kurtaj, kërkoi prej Prokurorisë Speciale të ofroj versionin edhe në gjuhën serbe, t’u dorëzohet aktakuza të akuzuarve dhe pastaj të mbahet shqyrtimi fillestar.

Pas marrjes së mendimit nga mbrojtësit dhe të akuzuarit, gjykatësi Valon Kurtaj, e shtyu shqyrtimin fillestar të sotëm për datën 11.2.2020.

KALLXO.com ka publikuar detaje nga aktakuza 48 faqëshe, ku përshkruhen detajet dhe veprat të cilat i kanë kryer gjashtë të akuzuarit Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Rade Basara.

Prokuroria Speciale gjithashtu ka shpallur urdhër arrest ndërkombëtar për Millan Radojiçiq dhe Zvonko Veselinoviqin. Këta dy të fundit sipas Prokurorisë cilësohen si udhëheqës të grupit të cilët janë përfshirë në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Urdhër arrest vendor Prokuroria Speciale ka shpallur ndaj Zhelko Bojiqit, zyrtar policor në veri të Mitrovicës dhe Millan Mihajloviq i njohur si “Popi”.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com tregohet dita kritike e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Kallëzimi penal i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda i dërguar në Prokurorinë Speciale tregon se më 16 janar të vitit 2018 rreth orës 8:14 të mëngjesi përballë zyrës së Iniciativës Qytetare “SDP”, Oliver Ivanoviq është qëlluar gjashtë herë me plumba të kalibrit 9 milimetër.

Vrasja e Ivanoviqit ishte kryer nga një veturë me xhama të mbështjellë me të zeza, veturë kjo e gjetur e djegur pas disa minutash në rrugën “Vojvoda Putnika”, rreth 1.500 metra larg vendit të vrasjes.

Si ishin përfshirë 6 të akuzuarit në vrasjen e Oliver Ivanoviqit sipas Prokurorisë?

I pandehuri Nedelko Spasojeviq dyshohet se ditën kur është vrarë Oliver Ivanoviq u ka liruar dhe siguruar rrugëtimin të dyshuarve, në këtë rast ekzekutuesve për aktin e vrasjes.

I pandehuri Nedelko Spasojeviq sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, së bashku me dy policët e parë që kanë qenë në vendin e ngjarjes, Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, nuk kishin kryer detyrat policore por kishin lëvizur me veturë zyrtare dhe në këmbë ani pse kishin hasur në persona të paautorizuar duke fotografuar dhe dëmtuar provat në vendin e ngjarjes në vrasjen e Ivanoviqit.

Sipas aktakuzës, Nedelko Spasojeviqit gjatë bastisjes në shtëpinë e tij  i janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë e tipit Kallashnikov, një karikator si dhe 106 fishekë, një granatë dore, shufër gome, një tytë tromblloni për Kallashnikov, një jelek ushtarak të cilat po i mbante pa leje.

I pandehuri i dytë, Marko Roshiq, dyshohet se në bashkëpunim të ngushtë me Nedelko Spasojeviq, Rade Basaran, Millan Radojiçiq, Zvonko Veselinoviq dhe Zhelko Bojiq (këta tre të fundit gjenden në arrati), kanë ndihmuar vrasjen, duke e përcjellë Oliver Ivanoviqin, para vrasjes ndërsa pas vrasjes në xhepin e Oliver Ivanoviqit siç ka përshkruar Prokuroria është gjetur një copë letre me targa të një veture, e cila veturë më pas kishte përcjellë edhe vëllanë e Ivanoviqit, e cila më pas ishte konstatuar se është vetura e Milan Radojiçiqit.

Rade Basara është një i akuzuar tjetër nga Prokuroria Speciale, i cili dyshohet se ka keqpërdorur pozitën e tij i cili kishte fshehur provat dhe dëshmitë, gjithashtu kishte marrë urdhra nga grupi kriminal që të fshehë edhe gjurmët e krimit në mënyrë që të mos zbardhet rasti.

Silvana Arsoviq, ish- administratore në zyrën e ish politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, dyshohet se kishte qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyrat e SDP-së kanë qenë të ndaluara në mënyrë të dhunshme pasi që janë shkyqur nga rryma, duke bërë të lehtë që vrasja e Oliver Ivanoviqit të mos xhirohet dhe menjëherë pas vrasjes të njëjtën ditë rreth orës 8:16 minuta të mëngjesit e njëjta kishte aktivizuar kamerat.

Dragisha Markoviq është i akuzuari i pestë për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ku Prokuroria Speciale e përshkruan se i njëjti pas vrasjes kishte dhënë informacione te një zyrtar tjetër policor në Serbi.

Markoviq së bashku me Zharko Jovanoviqin kishin lejuar edhe që në vendin e ngjarjes të inkuadrohen edhe persona të tjerë që të ndërhyjnë dhe të dëmtojnë provat e vrasjes së Ivanoviqit. Madje në aktakuzë përshkruhet edhe se Dragisha Markoviq deri sa ishte në vendin e ngjarjes me Zharko Jovanoviqin, ia kishte bërë me dorë këtij të fundit në drejtim të një gëzhoje të cilën Jovanoviq e merr dhe e fut në xhep në mënyrë që të zhdukë provat nga vendi i ngjarjes.

Valon Kurtaj, Blerim Isufaj, Zharko Jovanoviq, Dragisha Markoviq, Oliver Ivanoviq, Silvana Arsoviq, Rade Basara.

Vrasja e Oliver Ivanoviqit, Aktakuzë ndaj 6 personave

 

.