Ministrja Haxhiu reagon pas deklaratave të Blerim Isufajt që tregoi se ai dha pëlqimin për ta hequr urdhër-arrestin ndaj Radoiçiqit

Ministrja e Drejtësia Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklaratave të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili tha sot se ai kishte dhënë pëlqimin për të hequr urdhër-arrestin për Millan Radoiçiqin.

Duke iu referuar deklaratave të kryeprokurorit Isufaj, ministrja Haxhiu ka shkruar se siguria kombëtare nuk është thjesht çështje juridiko-penale e një kryeprokurori që me lehtësinë e botës thotë se vetëm ai i di arsyet pse ia ka hequr fletarrestimin dikujt si Millan Radoiçiq.

“Cenimi që Serbia për mbi 20 vjet i ka bërë rendit juridik dhe kushtetues në veri të vendit me në krye akter terrorist si Milan Radojçiq, veriu, siguria kombëtare nuk janë thjesht çështje të ftohta juridiko-penale të një prokurori apo kryeprokurori që me lehtësinë e botës thotë se vetëm ai i di arsyet pse i ka hequr fletarrestin dikujt si Milan Radojçiq. Dhe pikë, siç shprehet ai”- ka shtuar ajo.

Sipas saj, po të mos hiqej fletarrestimi, Radoiçiq do ta kishte të pamundur operimin në veri të vendit.

“Po të mos hiqej fletarresti (mos)operimi i tij do të ishte krejt ndryshe apo edhe i pamundur në veri të vendit. Kur dikujt i hiqet fletarresti praktikisht i bie që diçka ka ndërruar për të mirë, por këtë vit nga ky person që ju hoq fletarresti u organizua tentim-aneksimi i veriut me 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit. A e ka të qartë ky kryeprokuror që kjo çështje është preokupim kombëtar e shoqëror dhe nuk ka këtu vetëm Pikë?”- ka shkruar ndër të tjerash ministrja Haxhiu në Facebook.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë sot gjatë një konference për media se ai e ka dhënë  pëlqimin për heqjen e urdhër-arrestit për Milan Radoiçiqin, vite më parë e që u kthye më vonë, por nuk dha sqarime.

Tërheqja e urdhërarrestit për Radoiçiqin, Isufaj: ‘S’diskutohet kjo, unë e kam dhënë pëlqimin’