Tërheqja e urdhërarrestit për Radoiçiqin, Isufaj: 'S’diskutohet kjo, unë e kam dhënë pëlqimin'

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka folur në konferencën e mbajtur sot për media nga Prokuroria Speciale.

Isufaj i është përgjigjur një mori pyetjesh të gazetarëve përfshirë këtu urdhërarrestin për Millan Radoiçiqin, komentimin e deklaratave të kryeministrit Kurti dhe për pretendimet e ish-prokurorit, Sylë Hoxha.

Isufaj ka thënë së pa miratimin e tij nuk do të mund të revokohej urdhërarresti për Milan Radoiçiqin vite më parë.

“Pa mirtaimin tim s`kish mujt me ndodhë, s’diskutohet kjo, unë e kam dhanë pëlqimin por arsyet pse e kam dhanë {pëlqimin} nuk mund t`i bëjë publik, pikë”- tha Isufaj në konferencë për media.

Kryeprokurori çështjen e urdhërarrestit e ka quajtur çështje të brendshme duke mos u lëshuar në detaje për rastin.

“Sa i përket tërheqjes së urdhërarrestit për Radoiçiqin, ajo është çështje komplet e brendshme prokurorisë”- tha Isufaj.

Isufaj vazhdoi tutje duke sqaruar për publikun se sa i përket Radoiçiqit ai nuk kishte qenë kurr në paraburgim, ndërsa për udhërarrestin tha se është tërhequr për një kohë por pastaj ishte rikthyer përsëri.

“Është tërheq për një kohë urdhërarresti i cili në ndërkohë ju ka rikthy”- vazhdoi Isufaj.

Blerim Isufaj kishte një koment për deklaratat e kryeministrit Kurit.

“As që dua me komentu, sepse s’është çështje e tij ngritja e aktakuzave, është çështje e sistemit të drejtësisë. Nuk mund të na tregoj kërkush kur ngrisim aktakuzë dhe kur pushojmë hetime”- u përgjigj kryeprokurori i Speciales.

Kujtojmë që Isufaj ishte zgjedhur në krye të Prokurorisë Speciale më 11 dhjetor të këtij viti pasi kishte marrë aprovimin e 9 anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe një votë kundër për të ushtruar postin katër vjeçar të kryeprokurorit.

Presidentja Vjosa Osmani në një konference për media në tetor, bëri të ditur se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit për “shkak të shkeljeve masive”, duke shkuar më tej se kishte pranuar edhe kërcënime nga zyrtarë të institucioneve të drejtësisë.

Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte dalë me një reagim ndaj veprimit të fundit të Presidentes Vjosa Osmani, për mos dekretimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Blerim Isufaj ishte votuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të ri të Shtetit me 11 vota pro.

Emri i tij ishte propozuar që nga 16 prilli i vitit të kaluar por që dekretimi i Isufajt kishte ngecur në zyrën e Presidentes Osmani.