Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

Ndonëse prokurorja hoqi dorë nga ndjekja penale, Gjykata rinis gjykimin

Gjykata e Pejës e ka rihapur seancën gjyqësorë kundër të akuzuarit Nexhmedin Krasniqi, përkundër që të premten prokurorja e çështjes ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Aktakuza e ngarkon Nexhmedin Krasniqin se në prill te vitit 2010 me qëllim të shitjes kishte pasur në posedim 0.98 gram marihuanë dhe 0.35 gram heroinë.

Në seancën e mbajtur të premten prokurorja Valbona Disha-Haxhosaj ka bërë rikualifikim të veprës penale dhe atë prej posedimit të narkotikëve me qellim të shitjes, vepër kjo e paraparë me Kodin e përkohshëm penal, në veprën penale të posedimit të narkotikeve të paraparë me Kodin e ri penal.

Pas rikualifikimit, prokurorja ka hequr dorë nga ndjekja penale për shkak të arritjes së parashkrimit absolut për veprën penale – posedim i narkotikëve.

“Meqenëse është aplikuar ligji më i favorshëm vepra për të cilën  akuzohet i pandehuri parashihet vepra penale deri në një vit burgim atëherë rezulton se në këtë çështje penale ka arritur parashkrimi absolut, sepse ndjekja ndalohet nëse kalohet katër vite nga kryerja e veprës penale ndërsa nga kryerja e veprës kanë kaluar më shumë se 8 vite”, tha prokurorja Disha-Haxhosaj.

Ndonëse procedura gjyqësore ka përfunduar të premten, gjykatësi Sylë Lokaj ka rihapur shqyrtimin gjyqësor meqenëse rikualifikimi në veprën penale të posedimit të narkotikëve nuk parashihej me Kodin e përkohshëm penal që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

I akuzuari Nexhmedin Krasniqi dje e ka pranuar fajësinë për veprimet inkriminuese që e ngarkojnë atë në rastin konkret.

Sipas shkresave të siguruara nga KALLXO.com, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Flamur Kelmendi, në seancën e mbajtur dje ka deklaruar se rihapja e shqyrtimit gjyqësor është në kundërshtim me dispozitat e Kodit të procedurës penale, meqenëse, sipas tij, me rastin e heqjes dorë nga ndjekja penale çështja është e mbyllur.

“Prokurorja ka heqë dorë nga ndjekja penale dhe me këtë fakt ju gjyqtarë e keni kryer shqyrtimin gjyqësor dhe e keni liruar të mbrojturin tim. I mbrojturi im dhe unë e kemi nënshkruar procesverbalin por ju nuk na keni dorëzuar procesverbalin e shqyrtimit gjyqësor”, ka thënë Kelmendi.

Avokati konsideron se mënyra si është sjellë dje i mbrojturi i tij në Gjykatë është shkelje e të drejtave të njeriut.

“Mënyra si e keni sjellë ju sot të mbrojturin tim, duke dërguar Policinë që ta sjellë në Gjykatë, nuk ka mbështetje në ligj për shkak se i njëjti nuk ka pasur thirrje as me shkrim e as me telefon”, ka shtuar Kelmendi.

“Kjo rihapje e shqyrtimit gjyqësor pasi që prokurorja e shtetit heq dorë nga ndjekja penale është një precedent”, tha Kelmendi për KALLXO.com.