Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i Klinës nuk vjen në gjykatë, dështon seanca ndaj tij

Për shkak të mungesës së kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, ka dështuar të mbahet gjykimi ku ai po akuzohet nga prokuroria për rastin e punësimit të vajzës së tij në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në seancën e sotme ishte paraparë që palët në procedurë të japin fjalën përfundimtare.

Mbrojtësi i të akuzuarit Elezaj, avokati Kujtim Kërveshi, tha se pas komunikimit me kryetarin Elezaj është vënë në dijeni se ai e ka shkruar gabim datën, duke menduar se gjykimi është caktuar për datën 25.

Në këto rrethana në mungesë të kushteve për mbajtjen e gjykimit, seanca e sotme është shtyer për pasnesër.

Elezaj ishte dënuar nga shkalla e parë me 4000 mijë euro gjobë e po ashtu ishte shqiptuar ndalimi i ushtrimit të profesionit për dy vite.

Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria e Pejës pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.

Elezaj është zgjedhur kryetar i Klinës edhe për një mandat tjetër në këto zgjedhje.