Përfundon gjykimi i Zenun Elezajt, prokuroria kërkon dënimin e tij

Më përfundimin e fjalës përfundimtare të palëve në procedurë, ka përfunduar gjykimi ndaj kryetarit të Komunës së Klinës, Zenun Elezaj për akuzën rreth punësimit të vajzës së tij në QKMF në Klinë.

Prokurorja e rastit, Valbona Disha-Haxhosaj tha se pas dëgjimit të dëshmitarëve në këtë rigjykim, gjendja faktike mbetet e njëjta për prokurorinë, andaj edhe i propozoi gjykatës që të akuzuarin të e shpallë fajtor për këtë vepër penale.

“Gjatë rigjykimit janë dëgjuar dëshmitarët të sugjeruar sipas aktgjykimit të gjykatës së Apelit, pas dëgjimit të të njëjtëve prokuroria konsideron që gjendja faktike është e njëjte siç është përshkruar në fjalën përfundimtare të datës 10 dhjetor 2020, ashtu që i propozoj gjykatës që të akuzuarin të e shpallë fajtor të e dënoj sipas ligjit dhe të e obligoj në pagesën e shpenzimeve procedurale” tha prokurorja.

Në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Elezaj, avokati Kujtim Kërveshi, tha se me dëgjimin e dy dëshmitarëve në rigjykim është sqaruar që Elezaj nuk  e ka kryer veprën që e ngarkon prokuroria.

Kërveshi tha se është vërtetuar se kryetari Elezaj nga momenti i nënshkrimit të vendimit për emërimin e anëtarëve të komisionit nuk ka pas tutje qasje në këtë procedurë.

Ai i propozoi gjykatës që të mbrojturin e tij të e liroi nga akuza. Avokati i dorëzoi gjykatës fjalën përfundimtare me shkrim.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet të hënën në ora 9 e 45.

Elezaj ishte dënuar nga shkalla e parë me 4000 mijë euro gjobë e po ashtu ishte shqiptuar ndalimi i ushtrimit të profesionit për dy vite.

Rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Prokuroria e Pejës pretendon se kryetari Zenun Elezaj edhe pse e kishte ditur se vajza e tij ka për të aplikuar në konkursin e datës 2 shkurt 2018, ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për krijimin e marrëdhënies se punës lidhur me po të njëjtin konkurs.

Sipas aktakuzës, komisioni të cilin Elezaj e kishte formuar, kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar atë në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza” në Klinë.

Në dosjen e Prokurorisë thuhet se kallëzimi penal kundër kryetarit Elezaj është ushtruar nga Agjencia Kundër Korrupsion në Kosovë.

Elezaj është zgjedhur kryetar i Klinës edhe për një mandat tjetër në këto zgjedhje.