Mungon i akuzuari dhe mbrojtësi i tij, shtyhet gjykimi ndaj ish-drejtorit në Prizren

Në mungesë të të akuzuarit Osman Krasniqi, ish-drejtor i Shërbimeve Publike në Prizren dhe mbrojtësit të tij, avokatit Ruzhdi Berisha, sot ka dështuar të mbahet seanca.

Krasniqi po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij në kuadër të tenderit “Furnizimi me zhavorr për rrugët e paasfaltuara të Komunës së Prizrenit”, kontratë kjo e lidhur mes Komunës së Prizrenit dhe operatorit ekonomik “EUROVIA-BI”.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari i ka pranuar faturat dhe ka mundësuar pagesat në kundërshtim me objektin dhe pozicionet e kontratës, në të cilin ka qenë menaxher, duke anashkaluar zyrën e prokurimit.

Në këtë mënyrë thuhet se ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit për shumën totale prej 247 mijë e 360 euro e 40 centë.

Raima Elezi, kryetare e trupit gjykues ka deklaruar se Ruzhdi Berisha, mbrojtës i të akuzuarit përmes parashtresës ka kërkuar që seanca e sotme të shtyhet për shkak se gjendet jashtë vendit.

Ndërkaq, i akuzuari Osmani ftesën e ka pranuar por mungesën nuk e ka arsyetuar.

Në mungesë të kushteve ligjore, gjykimi i sotëm nuk u mbajt derisa seanca e ardhshme u caktua më 9 tetor 2023.

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi, për lidhjen e një kontrate në kundërshtim me procedurat e prokurimit, në kohën kur Komuna e Prizrenit udhëhiqej nga Mytaher Haskuka.

Ndërkaq, në zgjedhjet për kryetar komune në vitin 2017,  kishte kandiduar për kryetar të Komunës së Prizrenit në kuadër të subjektit politik që udhëhiqet nga Behgjet Pacolli, AKR.

Sipas aktakuzës, Osman Krasniqi nga data 8 prill 2021 deri më 5 maj 2021, në cilësinë e drejtorit të shërbimeve publike ka tejkaluar detyrat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personat e tjerë – operatorin ekonomik “EUROVIA-BI”.

Sipas aktakuzës, në kuadër të autoritetit kontraktues, menaxher i kontratës “Furnizimi me zhavorr për rrugët e paasfaltuara të Komunës së Prizrenit”, Krasniqi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik duke nxjerrë urdhra për operatorin e lartcekur.

Dosja më tej përshkruan se Osman Krasniqi ka mundësuar pagesat për operatorin ekonomik përkundër faktit se kontrata nuk ka parashikuar pozicionin e transportit dhe hedhjen e dheut në deponi.

“I akuzuari pranon faturat dhe mundëson pagesat nga pozicioni i pikës C shërbime me zhavorr në vlerën 8.02 euro për njësinë matëse m3, në kundërshtim me objektin dhe pozicionet e kontratës në të cilën ka qenë menaxher duke anashkaluar zyrën e prokurimit”-sqarohet në aktakuzë.

Prokuroria pretendon se me këto veprime i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit në vlerë prej 247.360,40 euro.

Për këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.