Dikur në garë me Haskukën, tash pritet të marrë në drejtim drejtori komunale

Në zgjedhjet e vitit 2017 për të parin e Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe Osman Krasniqi ishin kundër kandidatë.

Tash, si Kryetar i Komunës, Haskuka pritet t’i jep në drejtim Drejtorinë për Shërbime Publike Osman Krasniqit.

Krasniqi në zgjedhjet për kryetar Komune në vitin 2017 kishte kandiduar për Kryetar të Komunës në kuadër të subjektit politik, AKR.

Haskukës që i ka mbetur pak më shumës e 1 vit qeverisje në drejtim të Komunës së Prizrenit, ka paralajmëruar ndryshime të shumta në Drejtoritë e Komunës.

Gjashtë nga 13 drejtoritë e Mytaher Haskukës kanë mbetur pa drejtorë.

Disa prej tyre u shkarkuan e disa dhanë dorëheqje, ndërsa dikush u emërua në pozita tjera.

KALLXO.com mëson se pas dorëheqjes së ish- drejtori Levent Kasemit, pritet që Osman Krasniqi të emërohet Drejtor për Shërbime Publike.

Ish- drejtori Levent Kasemi kishte dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit, ndërsa Haskuka kishte thënë se kjo ka qenë hera e dytë që i njëjti kishte ofruar dorëheqje.

“Do të ketë emra të rinj, por edhe detyra të reja për drejtorët që mbesin në pozitat e tyre”, i kishte arsyetuar vendimet e tij për drejtorie e Komunës Hasuka në një intervistë për KALLXO.com.

Pikërisht për një kontratë të lidhur me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, emisioni Drejtësia në Kosovë kishte transmetuar një hulumtim mbi dyshimet për keqpërdorim të buxhetit në Komunën e Prizrenit.

Një kontratë e Komunës së Prizrenit me çmim 289 mijë e 124 euro ka qenë pjesë e analizës së përmbajtjes dhe implementimit të saj në terren nga ana e ekipit të “Drejtësia në Kosovë”.

Komuna e Prizrenit që nga viti 2018 ka planifikuar që të rregullojë mini-parqe në qytet dhe të vendos ulëse çeliku, kosha për mbeturina e ndriçim publik.

Në një tender mbi 280 mijë euro me shumë detaje dhe shumë produkte, karakteristikë kanë qenë dallimet në çmimet e produkteve të cilat në dukje janë të njëjta.

Kjo kontratë sipas datave do të përfundojë në dhjetor të vitit të ardhshëm, ndërsa deri më tash janë implementuar katër faza, dhe faza e pestë ende nuk është zbatuar për shkak të pandemisë COVID-19.

Hulumtimi solli detaje të zbatimit të kontratës dhe tejkalim të blerjeve të produkteve me çmim më të lartë ndërsa produktet që kishin çmimet e lira janë blerë pak, për të mos thënë fare.

Dyshimet për ‘gjakderdhje financiare’ në Komunën Prizrenit – VIDEO