Foto, KALLXO.com

Ish-drejtori i Komunës së Prizrenit del para gjyqit, akuzohet për një tender

Ish-drejtori i Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi, ka dalë sot para Gjykatës së Prizrenit për t’u deklaruar rreth fajësisë.

Krasniqi nga Prokuroria po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e tij në kuadër të tenderit “Furnizimi me zhavorr për rrugët e paasfaltuara të Komunës së Prizrenit”, kontratë kjo e lidhur mes Komunës së Prizrenit dhe operatorit ekonomik “EURO-VIA”.

Tenderi i lartcekur ka qenë i destinuar që ta shuajë zjarrin përmes transportimit të dheut në deponinë e fshatit Zhur.

Por, dosja e Prokurorisë përshkruan se Krasniqi ka mundësuar pagesat përkundër faktit se kontrata nuk ka parashikuar pozicionin e transportit dhe hedhjen e dheut për shuarjen e zjarrit në deponi.

Ish-drejtori Osman Krasniqi me këto veprime po ngarkohet se ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit në vlerë prej 247.360,40 euro.

Të hënën pas leximit të aktakuzës nga prokurori Mehdi Sefa, i pandehuri u deklarua i pafajshëm.

“Jo, nuk e pranoj fajësinë” – tha shkurt ish -drejtori Krasniqi.

Pas kësaj, gjykatësja Raima Elezi njoftoi të akuzuarin se ka të drejtë në kundërshtimin e akuzës dhe provave të saj.

Shqyrtimi i dytë në këtë rast u caktua për më 19 janar 2023.

Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Shërbimeve Publike, Osman Krasniqi, për lidhjen e një kontrate në kundërshtim me procedurat e prokurimit, në kohën kur Komuna e Prizrenit udhëhiqej nga Mytaher Haskuka.

Ndërkaq, në zgjedhjet për kryetar Komune në vitin 2017,  kishte kandiduar për kryetar të Komunës në kuadër të subjektit politik, AKR.

Sipas aktakuzës, Osman Krasniqi nga data 8 prill 2021 deri më 5 maj 2021, në cilësinë e drejtorit të shërbimeve publike ka tejkaluar detyrat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personat e tjerë-operatorin ekonomik “EURO-VIA”.

Sipas aktakuzës në kuadër të autoritetit kontraktues, menaxher i kontratës “Furnizimi me zhavorr për rrugët e paasfaltuara të Komunës së Prizrenit”, Krasniqi ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për prokurimin publik duke nxjerrë urdhra për operatorin e lartcekur.

Dosja më tej përshkruan se Osman Krasniqi ka mundësuar pagesat për operatorin ekonomik përkundër faktit se kontrata nuk ka parashikuar pozicionin e transportit dhe hedhjen e dheut në deponi.

“I akuzuari pranon faturat dhe mundëson pagesat nga pozicioni i pikës C shërbime me zhavorr në vlerën 8.02 euro për njësinë matëse m3, në kundërshtim me objektin dhe pozicionet e kontratës në të cilën ka qenë menaxher duke anashkaluar zyrën e prokurimit”-sqarohet në aktakuzë.

Prokuroria pretendon se me këto veprime i akuzuari e ka dëmtuar buxhetin e Komunës së Prizrenit në vlerë prej 247.360,40 euro.

Për këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.