Hagë: Sot pritet të mbahet rishqyrtimi në Apel për ish-komandantin e UÇK-së, Salih Mustafa

Dhomat e Specializuara në Hagë sot pritet të mbajnë seancën e apelit në çështjen e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Sipas informacionit zyrtar, seanca e apelit është programuar për dy ditë, të enjten, 26 tetor, në orën 13:30 dhe të premten, 27 tetor 2023, në orën 09:30.

Salih Mustafa u arrestua dhe u dërgua në burgun e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Pas dy vitesh gjykim, ish-komandanti “Cali” në dhjetor të vitit 2022, u dënua me 26 vjet burgim për tre akuza për krime lufte, përfshirë ndalimin arbitrar dhe torturimin e të paktën gjashtë të burgosurve, dhe vrasjen e një të burgosuri. Ndërkaq, u gjet i pafajshëm për krimin e luftës të trajtimit mizor.

Gjykata argumentoi dënimin duke theksuar se Mustafa kishte kryer këto krime ndaj të burgosurve civilë në një qendër paraburgimi të UÇK-së në fshatin Zllash, kur ishte komandant në Zonën Operative të Llapit të UÇK-së gjatë luftës në Kosovë.

Në kundërshtim me këtë vendim, më 5 maj 2023, Mustafa dorëzoi një dosje me argumente për Apel.

Avokati i tij, Julius Von Bone, në dosjen e tij të publikuar ka shprehur dyshimet se dënimi i Mustafës është shqyrtuar në mënyrë të padrejtë, duke u bazuar në rrethanat e gabuara.

Avokati argumentoi se gjykata nuk ka respektuar rregullat ligjore, duke përfshirë edhe shkeljen e parimit të “lex mitior”, i cili duhet të aplikohet në favor të të akuzuarit.

Von Bone theksoi se, në rastin e Mustafës, dënimi nuk duhet të kalonte mbi 15 vjet burgim.

Ai gjithashtu kritikoi që gjykata nuk ka respektuar ligjet e Kosovës, duke përfshirë dhe numrin e personave që Mustafa akuzohej se i ka torturuar. Megjithatë, në vend të të gjeturit fajtor për torturimin e të paktën 6 personave, gjykata ka verifikuar vetëm dy raste ku ai është përfshirë në torturim.

Von Bone në ankesë argumentoi se gjykata gjithashtu ka bërë një gabim në peshimin e rrethanave rënduese.

Sipas aktakuzës Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28 shtator 2020.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin Gollak të Kosovës.

Në këtë çështje janë 8 viktima pjesëmarrëse.

Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roja të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash. Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si në vijim.

Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Mustafa u arrestua dhe u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 24 shtator 2020.

Seanca e paraqitjes së parë të Mustafës u mbajt më 28 shtator 2020 para gjykatësit të procedurës paraprake, Nikola Giju. Në paraqitjen e tij të mëtejshme, më 28 tetor 2020, Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Palët i dorëzuan (si konfidenciale) versionet e tyre të fundit të dosjeve paraprake, më 22 shkurt 2021 (Zyra e Prokurorit të Specializuar) dhe më 6 maj 2021 (Mbrojtja).

Më 30 prill 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake nxori vendimin e parë mbi kërkesat e viktimave. Më 7 Maj 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I.

Më 21 maj 2021, Trupi Gjykues nxori vendimin e dytë mbi kërkesat e viktimave. Trupi Gjykues gjithashtu zgjati afatin për viktimat për të aplikuar deri në mbylljen e çështjes së Prokurorit të Specializuar. Në këtë çështje morën pjesë 8 viktima brenda një grupi të vetëm (Grupi 1).

Konferencat përgatitore për gjykimin në këtë çështje u mbajtën më 9 dhe 10 qershor 2021.

Gjykimi filloi më 15 shtator 2021 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësueses së viktimave. Më 4 shkurt 2022, ZPS-ja e mbylli çështjen e vet.

Më 23 shkurt 2022, Trupi Gjykues hodhi poshtë mocionin e Mbrojtjes për rrëzimin e akuzave kundër të akuzuarit, në bazë të rregullës 130 të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të DHSK-së. Konferenca përgatitore e Mbrojtjes dhe konferenca përgatitore mbi pjesëmarrjen e viktimave u mbajtën më 8 dhe 9 mars 2022.

Paraqitja e provave nga Mbrojtja filloi më 22 mars 2022, paraprirë prej paraqitjes së provave nga mbrojtësja e viktimave, më 21 mars. Më 26 maj 2022, Mbrojtja e Salih Mustafës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave prej tyre.

Më 1 qershor 2022, ZPS-ja paraqiti kundërprovat e veta duke thirrur një dëshmitar dhe duke ofruar prova dokumentare shtesë.

Më 3 qershor 2022, Trupi Gjykues paraqiti prova shtesë, në bazë të rregullës 132 të Rregullores, gjegjësisht dy raporte ekspertësh lidhur me vlerësimin e gjendjes shëndetësore të disa viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje.

Paraqitja e provave në këtë çështje gjyqësore përfundoi më 20 qershor 2022. Më 21 dhe 22 korrik 2022, Mbrojtja e Mustafës dhe Prokuroria i dorëzuan dosjet e tyre gjyqësore përfundimtare. Deklaratat përmbyllëse u bën në periudhën 13-15 shtator 2022.

Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022: Trupi Gjykues e shpalli Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim.

Shqiptimi i urdhrit për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023. Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207,000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor.