Gjykimi ndaj komandantit 'Molla e Kuqe' - 03.06.2022

Gjykimi ndaj komandantit 'Molla e Kuqe', i akuzuari me probleme shëndetësore shtyhet seanca

Remzi Shala, i njohur në kohën e luftës me nofkën “Molla e Kuqe”, është ulur në bankën e të akuzuarve për t’u ballafaquar me aktakuzën e Prokurorisë Speciale për krime lufte.

Shala po akuzohet se në qershor të viti 1998, bashkë me disa persona të tjerë – pjesëtarë të UÇK-së, kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Në gjykatë u panë forca të shtuara të policisë e Njësisë Speciale, kjo pasi që një ditë më parë ka ndodhur një rrahje mes palëve.

Rrahje në gjykimin për krime lufte

Por, me të filluar ky gjykim i akuzuari pati një kërkesë për gjykatën.

“Gjyqtare, unë kam marrë injeksion kundër dhimbjeve dhe nuk jam në gjendje ta përcjell gjykimin. Tash edhe pak unë flejë në sallë, më merr gjumi se këto injeksione më shtinë në gjumë me fjet”, deklaroi i akuzuari Shala.

Avokati  Blerim Mazreku bëri të ditur se i mbrojturi i tij për shkak të gjendjes fizike, emocionale dhe pas trajtimit mjekësor që kishte marrë nuk mund të vazhdonte më tej.

Ndërkaq, prokurori Haki Gecaj propozoi që gjendja e të akuzuarit të vlerësohet nga mjeku i Qendrës së Paraburgimit pasi kjo kërkesë rreth terapisë ishte e përsëritur.

“Edhe më herët kemi patur rast kur i akuzuari ka marr trajtim mjekësor dhe terapi, edhe atëherë ka pasur shqetësim se nuk mund ta përcjellë shqyrtimin. Në këtë rast, trupi gjykues mund të kërkojë një mendim nga mjeki i Qendrës së Paraburgimit për t’i vlerësuar kushtet për vazhdimin e seancës”, tha prokurori Gecaj.

Por, i akuzuari përsëri këmbënguli se ka marrë gjashtë tableta, terapi dhe injeksione prandaj nuk mund ta përcjellë shqyrtimin.

Ndërkaq, avokati Asdren Hoxha paraprakisht është deklaruar se të dëmtuarit ndodhen në ndalim, ndërkaq, i dëmtuari Zenel Përteshi ka kërkuar që gjykimi të mos mbahet pa prezencën e tyre.

“Kam biseduar më njërin prej të dëmtuarve të cilët ndodhen në ndalim në Stacionin Policor të Prizrenit,  ku më kanë kërkuar që pa prezencën e tyre të mos mbahet ky gjykim”, tha avokati Hoxha.

Pas kësaj, në mungesë të kushteve ligjore, me kërkesën e të akuzuarit ky gjykim u ndërpre.

Gjykimi ndaj komandantit ‘Molla e Kuqe’, 03.06.2022

 

Seanca e radhës lidhur me këtë rast u caktuan për datën 1, 2 dhe 5 shtator 2022.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Remzi Shala është dënuar me 14 vite burgim, kurse Gjykata e Apelit përmes një vendimi i ka zbutur dënimin në 10 vite burgim. Pas kësaj, Gjykata Supreme ka anuluar këto dy gjykime duke e kthyer rastin në rigjykim.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me rastin ku i akuzuar është Remzi Shala mund t’i lexoni në LINK.