Rrahje në gjykimin për krime lufte

Në gjykatën e Prizrenit ka ndodhur një incident ndërmjet akuzuarit për krime lufte Remzi Shala, dëshmitarit dhe palës së dëmtuar Zenel Përteshi.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar edhe avokati Asdren Hoxha, i cili ka thënë se pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit në sallën numër 1 ka eksaluar situata.

Ai ka sqaruar se akuzuari ka reaguar duke e quajtur gënjeshtar dhe duke gjuajtur me ujë në drejtim të Zenel Përteshit.

“Derisa po jepte dëshminë dëshmitari, i akuzuari ka filluar që ta quajë gënjeshtar, rrenc e më pas ka filluar konflikti edhe me palën e dëmtuar ku i akuzuari e ka gjuajtur me shishe të ujit Zenelin në drejtim të tij”, tha avokati Hoxha.

Ai ka sqaruar se pas kësaj, policia ka ndërhyrë dhe i ka lokalizuar.

Zëdhënësi i gjykatës, Marcel Lekaj për KALLXO.com e ka konfirmuar se ka ndodhur një incident në sallën numër 1 të gjykatës, por nuk ka dhënë detaje tjera, pasi që sipas tij me rastin tani janë duke u marrë organet përgjegjëse.

 

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë,  Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

“Pas mbajtjes disa ditë të mbyllur në vend të paidentifikuar me datën 1 korrik 1998 trupi i pajetë i Haxhi Përteshit është gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël”, thuhet në dispozitivin e aktakuzës së Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këto akuza, më 3 korrik 2019, Remzi Shala ishte dënuar nga Gjykata e Prizrenit me 14 vite burgim.

Kurse, nga 14 vite burgim sa ishte gjykuar nga ana gjykatës së shkallës së parë, të akuzuarit Remzi Shala nga Gjykata e Apelit i ishte zbutur dënimi në 10 vite burgim.

Pas këtij vendimi, Gjykata Supreme kishte anuluar këto dy aktgjykime dhe çështja i ishte kthyer Gjykatës së shkallës së parë për rigjykim dhe rivendosje.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017 dhe dëshmi për rastin ishin dhënë edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin e plotë për aktakuzën ndaj ish-ushtarit të UÇK-së Remzi Shala mund ta shikoni këtu:

Të gjitha raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK