Shefqet Kabashi duke dhënë dëshminë në Gjykatën Speciale - Foto: Screenshot

Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve, ish-ushtari i UÇK-së pretendon se kishte marrë urdhra për të vrarë persona të ndryshëm

Gjatë dëshmisë së tij në gjyqin e Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale, dëshmitari Shefqet Kabashi ka pretenduar se gjatë luftës në Kosovë, më 1998, kishte marrë urdhra për të vrarë persona të ndryshëm.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit Nathan Quick, ish-luftëtari i UÇK-së tha se urdhrat për vrasje i kishte marrë nga Alush Agushi.

“Ju keni thënë se keni marrë urdhër në shtator të 1998-tës për ta vrarë Rrok Berishën, për të cilin thatë që ju shkuat ta takoni dhe vendosët të mos e vrisni?” – pyeti prokurori.

“Po” – u përgjigj Shefqet Kabashi.

Ai më tutje tregoi se pas luftës ishte takuar shumë herë me Rrok Berishën.

“Një nga arsyet që fola me të ishte sepse pas lufte emri im doli në një artikull gazete e cila më duket quhej “Koha e Re”, aty Faton Mehmetaj ishte personi që shkruante kundër Rrok Berishës. E përdorën emrin tim për këtë qëllim. Dhe nuk e duroja dot më” – u shpreh Shefqet Kabashi.

Ai tha se takimet me Rrok Berishën i kishte bërë për shkak se në këtë situatë vendosi të publikonte disa artikuj.

“Pas lufte vendosa të punoj, bëra kërkesë të punoj si oficer policie. Por kur shkova ta marrë vërtetimin që kam qenë anëtar i UÇK-së ata refuzuan të ma jepnin. Më thanë qe isha në anën tjetër të luftës. Pra, i binte që isha njeri i keq. Vendosa të shkruaj në gazetë për të rrëfyer gjithçka për vete, familjen dhe kohën që e kam kaluar në burg. Prandaj jam takuar me Rrok Berishën, kjo ishte arsyeja. Sepse kishte gazetarë tjerë që s’donin ta merrnin përsipër këtë çështje se kishin frikë për jetën e tyre” – tregoi Shefqet Kabashi.

Ai gjithashtu u pyet nëse Rrok Berisha kishte bërë deklarata dhe shkrime rreth tij.

“Po, disa herë, hera e fundit ishte para se të vdiste, në llogarinë e tij në Facebook, aty tregoi se nuk isha vetëm unë, edhe pas meje u përpoqën ta vrisnin” – u përgjigj Shefqet Kabashi.

“Unë e njihja Rrok Berishën dhe familjen e tij, ishin një familje e mirë shqiptare” – tregoi më tutje ai.

Tutje, prokurori Nathan Quick ia tregoi një artikull të botuar në “Bota Sot”, i cili kishte autor pikërisht Rrok Berishën. Prokurori ia tërhoqi vëmendjen drejt anës së djathtë të shkrimit, i cili u afishua në monitor, ku shkruhej titulli “ish-komandantët kanë rifilluar kërcënimin”.

“Përmendet një person me emrin Pipi, kush është ai?” – pyeti prokurori Nathan Quick.

“Pipi është Alush Agushi, i quajtur edhe Mula, ishte anëtarë i UÇK-së. Nuk e di kur ishte futur (në UÇK). Unë isha në njësinë e tij njëfarë kohe” – u përgjigj në cilësinë e dëshmitarit Shefqet Kabashi.

“Në artikull komandanti Pipi e kishte urdhëruar Shulcin të vriste deputetin nga Lugina e Baranit…” – vijoi marrjen në pyetje prokurori Nathan Quick.

“Deputeti ishte Rrok Berisha, “Shulci” isha unë” – u përgjigj Shefqet Kabashi.

Pas kësaj prokurori kërkoi që ky artikull të pranohet si provë.

Këtë kërkesë trupi gjykues, i përbërë nga Charles Smith III, Christoph Barthe, Fergal Gaynor, Guénaël Mettraux, e aprovoi.

“Është një deklaratë e qartë, ka datë, është autentik, dëshmitari e ka pranuar se i ka bërë këto deklarata” – e arsyetoi më tutje pranimin e kërkesës kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Shefqet Kabashi në dëshminë e tij tha se ka marrë edhe urdhra të tjerë të ngjashëm për të vrarë Din Berishën dhe Fadil Gashin, nga Alush Agushi dhe atë përderisa po shkonte nga Jabllanica në fshatin Bojakë, ndërkohë që Alush Agushi po vinte drejt Jabllanicës.

“Ai tha që ka disa probleme me Fadil Gashin, ai ka dalë kundër UÇK-së. Ai duhet të eliminohet” – tha Shefqet Kabashi.

Ai tha se Fadil Gashi kishte qenë pjesë e LDK-së dhe se ai kishte punuar për të.

Prokurori Nathan Quick gjithashtu e pyeti nëse e njeh Rexhep Selimin.

“Po, e njihnim si “10-shi”. Njëherë ishim duke shkuar në Jabllanicë për armë dhe ishim në veturë së bashku” – u përgjigj Shefqet Kabashi.

Ai tregoi se nuk i kishte zbatuar urdhrat për t’i ekzekutuar Din Berishën e Fadil Gashin.

I pyetur nga prokurori se pse kishte vepruar në këtë mënyrë ai dha arsyetimin e vet.

“Sepse unë jam rritur si shqiptar, dhe ne nuk e bëjmë këtë gjë sepse kemi besime të ndryshme – pa urdhër gjykate të vrasësh dikë sepse mendon ndryshe” – sqaroi Shefqet Kabashi.

Dëshmitari rrëfeu se së bashku se xhaxhanë e tij i kishin dërguar një letër Ramush Haradinajt për t’i treguar lidhur me këto ngjarje.

“Ai nuk na ktheu përgjigje. Ai tha që nuk di për këto gjëra, dhe na tha kthehuni në luftë sepse jeni luftëtarët më të mirë” – dëshmoi më tutje ai.

Dëshmitari tregoi edhe për një emër tjetër për të cilin, sipas tij, po ashtu kishte urdhër për vrasje.

“Pastaj erdhi lajmi për urdhrin për ta vrarë Zekerija Canën, i cili me pak fjalë ishte shumë i njohur për ne, ishte shumë patriot dhe i cili bënte shumë lëvizje për të bashkuar shqiptarët” – tha Shefqet Kabashi.

Ai tha se urdhrin për vrasje për Fadil Gashin nuk e kishte raportuar në autoritete publike.

Sipas tij, UÇK-ja ishte për njerëzit.

“UÇK-ja ishte për njerëzit jo për mite dhe komandantë” – u shpreh ndër të tjera Shefqet Kabashi.

Ai tregoi se ishte kyçur aty sepse i kishte ardhur në maje të hundës pushtimi serb.

“Kur jam kyçur në UÇK, si shumicës së njerëzve, më kishte ardhur ne maje të hundës pushtimi serb. Sepse unë isha rrahur si fëmijë. Dhe atyre ju desh të shkonte dikush të merrte armë, unë shkoja” – rrëfeu Shefqet Kabashi.

Më tutje, në seancë u fol edhe për dëshminë e Shefqet Kabashit në rastin Fatmir Limaj dhe të tjerët, i cili kishte të bënte me tri motrat nga Tërpeza, por për diskutimin për këtë pjesë prokurori Nathan Quick kërkoi seancë të mbyllur për publikun.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.