(Arkiv) Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt - FOTO-KALLXO.com
Gjykimi për vrasjen e Agonis Tetajt drejt fundit
Pas më shumë se 4 vitesh nga vrasja e Agonis Tetajt, këtij procesi gjyqësor po i vjen fundi.
Agonis Tetaj ishte vrarë në lokalin “Gogaj Ag” në Deçan, ku ai ishte punëtor.
Për vrasjen e tij po ngarkohet djali i pronarit të kompanisë, Shaban Gogaj.
Aktakuza për këtë rast ishte ngritur nga Prokuroria e Pejës, përkatësisht prokurorja Sahide Gashi, e cila ishte përjashtuar nga ky rast dhe rasti ishte bartur për përfaqësim në Prokurorinë e Gjilanit.
Aktakuza ishte ngritur për vrasje të rëndë nga prokurorja Gashi, ndërsa ishte përfaqësuar nga prokurori Agron Uka i Gjilanit.
Rasti mori vëmendjen e opinionit publik kur babai i të ndjerit, Isuf Tetaj, publikoi pamjet e momenteve tragjike ku djali i tij, Agonis Tetaj mbeti i vdekur në lokalin ku po punonte.
Pamjet ishin publikuar nga babai i të ndjerit pas ricilësimit të veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje nga pakujdesia”.
Akuza ishte ricilësuar në seancën e fundit gjyqësore nga prokurori Agron Uka, prokuror i Prokurorisë së Gjilanit.
Isuf Tetaj, në shkrimin publik drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, mediave dhe ambasadave, ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit, i cili e konsideroi nga pakujdesia vrasjen e birit të tij.
Për këtë rast pastaj dolën edhe detaje te reja.
Prokurori i këtij rasti Agron Uka si dhe Besnik Berisha, avokati mbrojtës Shaban Gogajt, i akuzuar në këtë rast, u përfshinë në një situatë kontraverse, pasi u dëshmua me fotografi që të dy ishin takuar në një restorant në Gjilan.
Kjo fotografi u publikua në KALLXO.com disa ditë pas rikualifkimit të vrasjes nga prokurori Uka.
Edhe Kryeprokurori i Shtetit në atë kohe, Aleksandër Lumezi, kishte reaguar duke përjashtuar prokurorin Agron Uka nga rasti, dhe çështjen ia kishte kaluar një prokurori tjetër.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte kërkuar gjithashtu edhe që Gjykata e Pejës të mos e shpallë të përfunduar shqyrtimin, por të marrë prova të reja për zbardhjen e rastit.
Në njërën anë kryeprokurori kërkonte të merreshin prova të reja, në anën tjetër gjykimi kishte përfunduar me pranimin e fajësisë nga Shaban Gogaj për akuzën e re të ricilësuar nga prokurori Uka.
Në ditën e shpalljes së vendimit, Gjykata e Pejës në trupin gjykues të kryesuar nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova kishte vendosur të rihapë shqyrtimin, duke revokuar edhe vendimin për pranimin e fajësisë së Gogajt.
Gjykata po ashtu i kishte dhënë afat prokurorisë që të paraqes provat e reja.
Vendimin për rihapje, avokati Berisha e konsideroi të kundërligjshëm duke thënë se kjo do të lë njollë në sistemin e drejtësisë.
Gjykimi pastaj vazhdoi me prokurorin e ri, Isuf Sadiku, i cili ndryshoi aktakuzën duke qëndruar pranë akuzës fillestare asaj për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt.
Me rastin e procedimit të dëshmitarëve, gjykata ka marrë një vendim që përjashtoi mbrojtësin Besnik Berisha nga e drejta për mbrojtje e Shaban Gogajt.
Paraprakisht Berishës iu shqiptua gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë në gjykatë, e kjo gjobë u vërtetua nga Gjykata e Apelit.
Prej momentit kur Berisha u përjashtua nga e drejta e mbrojtjes, gjykimi ishte përshkruar me zvarritje të shumta.
Vetë Gogaj nuk pranonte asnjë avokat tjetër përveç Berishës, e në anën tjetër edhe Oda e Avokatëve të Kosovës nuk pranonte të caktonte avokat tjetër sipas detyrës zyrtare.
Nga OAK ishte marrë vendim për këtë çështje, e avokatët ishin paralajmëruar se kush nuk e respektonte atë vendim do të përgjigjej për shkelje disiplinore.
Në këtë situatë procesi gjyqësor ndaj Shaban Gogajt u bllokua për 9 muaj me radhë.
Reagime të shumta për këtë vendim të OAK pati edhe nga Ministria e Drejtësisë.
Deri te zhbllokimi i procesit erdhi pasi Oda e shfuqizoi vendimin e saj për moscaktim të avokatëve.
Edhe në këtë situatë prapë gjykata nuk po arrinte të siguronte mbrojtjen e Gogajt, pasi avokatët që caktoheshin tërhiqeshin për arsye të ndryshme.
Avokatet e caktuar në këtë proces nga gjykata shumë prej tyre ishin tërhequr pasi Gogaj nuk i pranonte si avokat, madje njeri prej tyre edhe pse kishte pranuar ishte tërhequr nga mbrojtja pasi sipas tij ishte kanosur nga vetë Shaban Gogaj.
Gjykimi u zhbllokua javën e kaluar kur avokatja Sabrije Abazi pranoi ta mbronte Gogajn edhe pse ky i fundit nuk e pranonte atë.
Në seancën e fundit gjykata kishte ftuar dy dëshmitarë dhe ishte bërë leximi i provave për të vazhduar sot me fjalën përfundimtare.
Gogaj nuk kishte pranuar që në këtë seancë të deklarohej për fajësinë, e po ashtu tha se ai nuk pranon asnjë avokat tjetër përveç Besnik Berishës.
Kundërshtime pati edhe nga i akuzuari për armëmbajtje, Isuf Cacaj, i cili kërkoi nga gjykata që atij mos t’i drejtohej me pyetje.
Sot pritet që gjykimi të përfundojë më fjalën përfundimtare të palëve në procedurë. Pastaj sipas dispozitave ligjore, gjykata ka 3 ditë afat për shpalljen e aktgjykimit.
Gogaj po mbahet në paraburgim prej ditës kur ka ndodhur vrasja e Agonis Tetajt.
Aktakuza që e ngarkon Shaban Gogajn
Sipas aktakuzës se prokurorisë, në vitin 2019, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stoqeve përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxorri revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.