Gjykata vendos për mësimdhënësin e dyshuar për sulm seksual ndaj nxënëses në Deçan

Mësimdhënësit nga Deçani, i dyshuar për sulm seksual ndaj një nxënëseje të mitur dhe kanosjen e personit i cili ka filmuar momentin e ngacmimit i është caktuar paraburgimi nga Gjykata.

Gjykata e Pejës e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditwsh kundër të pandehurit V. S.

Lajmin për Kallxo.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Tringa Zhuti.

Mësimdhënësi është arrestuar dhe suspenduar nga detyra nën dyshimin se i njëjti ka sulmuar seksualisht një nxënëse të mitur në Deçan.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, e dëmtuara ka deklaruar në stacionin policor se i dyshuari, V. S. e ka puthur në buzë dy herë, pa pëlqimin e saj.

Ndërsa i dyshuari, V. S. ka deklaruar në stacionin policor se e pranon që është mësimdhënës i viktimës, se ka qenë në dijeni të moshës së saj, se e ka përkëdhelur dhe ja ka vendosur dorën në kokë dhe se i njëjti e ka afruar afër vetit për disa sekonda, e ka afruar te faqja.

I dyshuari V. S., e ka mohuar sulmin seksual, por që sipas dosjes së prokurorisë, kjo është bërë me qëllim të ikjes nga përgjegjësia penale, ngase video-incizimi i kësaj ngjarjeje e vërteton të kundërtën.

Sipas dosjes së prokurorisë, i dyshuari V. S., dyshohet po ashtu se ka kanosur edhe personin apo dëshmitarin që e ka bërë videoincizimin e rastit në fjalë.

Këtë të fundit, dosja e prokurorisë tregon se i dyshuari e kishte vërejtur se e kishte bërë videoincizimin dhe se i njëjti e kishte kanosur duke iu drejtuar me fjalët ‘’Ta shkatërroj edhe familjen’’.

Sipas dëshmitarit që ka bërë video-incizimin e ngjarjes në fjalë, i dyshuari V. S. paraprakisht edhe më datën 8 qershor 2023, e kishte puthur viktimën dhe se i njëjti e kishte incizuar.

Të dyshuarit, sipas dosjes së prokurorisë i është bërë edhe sekuestrimi i përkohshëm i sendeve.

Zëdhënësi i prokurorisë themelore në Pejë, ditën e hënë e ka konfirmuar për KALLXO.com se prokurori i shtetit ka marrë veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështjeje.

“Prokurori ka shkuar në stacionin policor dhe ka urdhëruar sekuestrimin e telefonit të të pandehurit” – ka thënë ditën e hënë, zëdhënësi për KALLXO.com.

Gjykata sot pritet të vendos për masën ndaj mësuesit të dyshuar për sulmin seksual ndaj nxënëses së tij në Deçan