Dëshmitari i shtatë i mbrojtjes, Nazmi Vërbovci në gjykimin ndaj Salih Mustafës

Gjykimi Salih Mustafës, dëshmitari Vërbovci rrëfen për shpërnguljen dhe vrasjen e 12 shqiptarëve nga forcat serbe

 

Dëshmitari i shtatë i mbrojtjes, Nazmi Vërbovci në seancën e së mërkurës, në gjykimin ndaj Salih Mustafës ka rrëfyer për zhvendosjen e shqiptarëve dhe vrasjen e tyre nga forcat serbe.

Seanca ndaj Salih Mustafës i njohur me nofkën “Komandant Cali” po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës ku ai po akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor të kryera në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Fillimisht dëshmitari Vërbovci sqaroi se gjatë periudhës mars-prill 1999 për shkak të keqësimit të situatës në Barilevë u formuan njësitë vullnetare prej 10-30 personave.

“Formuam grupet tona, njësitet tona për mbrojtjen e popullatës, strehimin e popullatës, sidomos në fshatin tonë, në lagjen tonë “Vërbovci”, në fshatin Barilevë. Unë aty kam qëndruar gjithë kohën”, tha Vërbovci.

Më tej ai ka rrëfyer se në këtë kohë ishin kryer edhe vrasje nga forcat serbe.

“Gjatë muajit mars-prill 1999 ka pasur luftime, mund të them ka pas dhe s’ka pas. Në mars kanë hy forcat policore në mes Barilevës, ku kanë shku e kanë vra një profesor, Selim Berishën, i cili është vra në shtëpinë e vet, aty ka fillu m`u prish situata në fshatin Barilevë, me datë nuk më kujtohet kur, aty diku ka qenë në gjysmën e dytë të muajit mars”, tha ai.

Pos Selim Berishës që ishte vrarë, Vërbovci shtoi se në Barilevë ishin vrarë edhe 12 persona të tjerë.

“Në mars-prill të vitit 1999, përveç vrasjes së profesorit në fshatin Barilevë janë edhe 11 të vdekur krejt dëshmorë të Barilevës. Kurse i 12-ti ka qenë Nexhmi Kaçiu i fshatit Lupq, t`u ndejt ka qenë u vra në prill”, sqaroi dëshmitari.

Ai përpara trupit gjykues më tej ka rrëfyer se ka pasur edhe keqtrajtime të tjera nga ana e forcave serbe.

“I vetmi person i vrarë ka qenë ky, ka pas edhe keqtrajtime të tjera po ama nuk mundem me cek në publik, aty kanë vepruar sene të këqija forcat policore serbe”, ka thënë Vërbovci.

Dëshmitari tutje ka theksuar se pas kësaj situate kishte filluar shpërngulja e popullatës civile të këtyre lagjeve e cila ishte bërë në mënyrë të sigurt.

“Në mars-prill 1999 përveç lëvizjes së qytetarëve ka pas edhe lëvizje të tjera nga ushtarët të cilët përmes meje janë kaluar. Ushtarët kanë qëndruar në Barilevë disa kanë kaluar. Kalimi i popullatës dhe ushtarëve përmes kësaj pike-Barilevës është bërë në mbrëmje. Në mbrëmje kanë ardhur dhe i kemi vendosur në mes dy kodrave-livadh i ngushtë ku aty e kena mbajt popullatën dhe jena interesuar për ushqim, veshmbathje. Në mbrëmje i kena qit në pika dhe në bashkëpunim me mbrojtjen civile ku unë si organizator kanë shku. Asnjë njeri s’na ka dal në pritë dhe asnjë njeri nuk është dëmtuar”, sqaroi ai.

Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe  dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Sali Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK