Klan Kosova reagon pas vendimit të Ministrisë për pezullim të certifikatës së biznesit

Televizioni Klan Kosova ka reaguar pas vendimit të Ministrisë së Industrisë për pezullim të certifikatës së biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Sipas televizionit, ky veprim është i padrejtë, arbitrar dhe me premisa autokratike, i pabazuar në ligj, dhe tentim i shkeljes së lirisë së medias.

Në reagim thuhet se Klan Kosova asnjëherë deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt ose veprim nga ndonjë institucion i Republikës së Kosovës lidhur me çështjet për të cilat ministria ka ngritur dyshime.

“Klan Kosova asnjëherë nuk ka pasur rastin as të japë shpjegime çfarëdo në institucionet e shtetit lidhur pretendimet e ministrisë, të cilat sipas tyre kanë rrjedhur nga një shkrim spekulativ nga një portal online, vetëm një ditë më parë” – thuhet në reagim.

Televizioni ka njoftuar se kanë ndërmarrë masat e konsultimit me jurist.

“Ne kemi ndërmarrë menjëherë masat që të konsultohemi me juristë, ndërkohë duke njoftuar të gjitha institucionet e shtetit, ambasadat e akredituara në Kosovë, organizatat ndërkombëtare të mediave dhe lirisë së shprehjes” – thuhet në reagim.

Tutje thuhet se Klan Kosova është njoftuar nga ministrja Rozeta Hajdari për këtë vendim rreth orës 18:00, kurse sipas tyre, deri në këto çaste nuk ka marrë asnjë vendim zyrtar nga ministria.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, sot ka njoftuar se ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” Sh.P.K.

Ministria ka njoftuar ka iniciuar kallëzim penal ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Këtu mund ta lexoni të  plotë reagimin e Klan Kosovës.

Ministria e Industrisë pezullon certifikatën e Klan Kosova SHPK