Gjykata Komerciale vërteton vendimin e shkallës së parë për rastin 'MINT- Klan Kosova'

Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Dytë, e kanë gjetur si të pabazuar ankesën e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ndaj ‘Klan Kosova’ dhe kanë vërtetuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë.

Ankesa e të paditurës MINT ishte parashtruar kundër vendimit të parë të gjykatës së shkallës së parë për shtyerjen e ekzekutimit të vendimit, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.

Ky vendim u mor nga kolegji i gjyqtarëve, Ramush Bardiqi kryetar, Krenar Berisha dhe Dren Rogova anëtarë të kolegjit.

Kundër vendimit të shkallës së parë ka ushtruar ankesë e paditura MINT, për shkak të pretendimeve për shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, dhe aplikimit të gabuar të drejtës materiale.

Sipas vendimit të gjykatës, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, aktvendimit të ankimuar, pretendimet ankimore, dhe pas vlerësimit të tyre, gjeten se ankesa e paditurës është e pabazuar.

Sipas vendimit, kolegji i kësaj gjykate gjeti se, gjykata e shkallës së parë, pas shqyrtimit të propozimit të paditësit, për shtyrje e ekzekutimit të vendimit të të paditurit, ka gjetur se ekzekutimi i vendimit kontestues, paditësit do t`i sillte dëm vështirë të riparueshëm, ndërsa shtyrja nuk është në kundërshtim me interesin publik.

Tutje, sipas vendimit të gjykatës, propozuesi pretendimet e paraqitura në propozim i ka mbështetur në argumente të mjaftueshme.

Gjykata e shkallës së parë, gjatë vlerësimit të propozimit të paditësit për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar, iu ka referuar dispozitave ligjore të Ligjit për Konfliktin Administrativ.

Kolegji i Dhomës së Shkallës së Dytë, duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e tillë të gjykatës së shkallës së parë, ngase edhe sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate, në rastin konkret, janë plotësuar në mënyrë komulative kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë sipas dispozitave juridike nga ligji për konflikt administrativ.

Andaj, sipas gjykatës, ankesa si e tillë refuzohet, ndërsa aktvendimi i ankimuar vërtetohet si i drejtë dhe i ligjshëm.

Me aktvendimin e ankimuar të Gjykatës Komerciale, Dhomat e Shkallës së Parë më 2 gusht 2023, kanë aprovuar kërkesën e paditësit Klan Kosova Sh.p.k. për shtyerjen e ekzekutimit të vendimeve të paditurës Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe ka vendosur të shtyhet ekzekutimi i Vendimit të Komisionit për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve i datës 28 korrik 2023 si dhe vendimit të datës 14 qershor 2023, i nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrim të Bizneseve në Kosovë, derisa gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni duke klikuar në LINK