Apeli e vërteton dënimin me burgim të përjetshëm për të akuzuarin që vrau babë e bir në Gradicë të Drenasit

Gjykata e Apelit më 13.03.2024 e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë i marrë nga Gjykata e Prishtinës duke konfirmuar se Xhafer Bardhi i akuzuar për vrasjen e B. M. dhe djalit të tij, do të vuaj dënimin me burgim të përjetshëm.

Njëkohësisht Apeli ka konfirmuar se djali i Xhafer Bardhit, i akuzuar nga prokuroria për bashkëkryerje në vrasje të rëndë, Amir Bardhi në mungesë të provave do të lirohet.

Përmes njoftimit të shpallur në uebfaqe, Gjykata e Apelit ka bërë të ditur se e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Prokurorisë së Prishtinës dhe ankesën e mbrojtësit të të akuzuarit Xhafer Bardhi.

Apeli po ashtu e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e familjares së viktimave, të të dëmtuarës, S. M. lidhur me pjesën liruese.

Kolegji i Gjykatës së Apelit i përbërë nga Hashim Çollaku – kryetar, Xhevdet Abazi dhe Zyhdi Haziri, anëtarë, ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë, gjendjen faktike në këtë çështje penale e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Andaj, në njoftim thuhet se duke marrë parasysh të lartëshënuarat dhe detaje të tjera të precizuara në aktgjykim është vlerësuar se konkludimi i gjykatës së shkallës së parë se i akuzuari Xhafer Bardhi, është kryerësi i veprës penale të sipërcekur, është i drejtë dhe se në mënyrë të padyshimtë është vërtetuar.

I njëjti ka ndërmarrë veprimet inkriminuese të cilat përbëjnë tiparet e veprës penale, për të cilën i akuzuari edhe është shpallur fajtor dhe është gjykuar, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndërsa sa i përket të akuzuarit Amir Bardhi, kolegji i gjykues ka potencuar se me të drejtë është konstatuar, se me provat e proceduara në seancën e shqyrtimit gjyqësor nuk mund të vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.

Me aktgjykimin e datës 09.10.2023 Gjykata e Prishtinës kishte shpallur fajtor Xhafer Bardhin duke e dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë të B. M. dhe djalit të tij 15-vjeçar në një pyll në fshatin Gradicë të Drenasit. Ndërsa djalin e Xhaferit, Amirin Gjykata e kishte shpallur të pafajshëm duke e liruar në mungesë të provave.

Ky vendim ishte marrë nga trupi gjykues me kryetar Agim Kuçi, anëtarët Medie Bytyqi dhe Ngadhnjim Arrni.

Prokuroria i akuzon se vrasjen e kanë kryer në bashkëkryerje dhe me motive pronësore pas një mosmarrëveshje paraprake.

Dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, për shkak të një mosmarrëveshje pronësore më 05.04.2021, rreth orës 20:00, në fshatin Gradicë të Drenasit, të pandehurit Xhafer dhe Amir Bardhi kanë kryer veprën penale vrasje e rëndë.

Sipas aktakuzës, të pandehurit kanë privuar nga jeta B. M. dhe djalin e tij 15-vjeçar. Si dhe kishin vënë në rrezik jetën e të tjerëve V. M., V. M., dhe D. M.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Amir Bardhi kishte qenë duke ecur në pyll me djalin e axhës dhe rrugës kishin takuar të dëmtuarin V. M. dhe të njëjtin i akuzuari e kishte pyetur se “Çka jeni duke bërë”, ndërsa i dëmtuari V. M., i kishte thënë se “jemi duke prerë dru në mal”.

Tutje thuhet se Amir Bardhi dhe dëshmitari janë larguar nga aty, Amir Bardhi ka pritur në rrugën e cila të dërgon deri tek vendi ku ka ndodhur ngjarja, ndërsa dëshmitari është larguar drejt shtëpisë së tij.

Tutje në aktakuzë thuhet që Amir Bardhi e ka thirrur në telefon Xhaferi Bardhin dhe ky i fundit e ka marrë armën dhe me veturë ka shkuar deri tek vendi i ngjarjes. Me të arritur tek vendi, ka shtënë me armë drejt të dëmtuarve dhe ka goditur 15-vjeçarin, në atë moment në ndihmë i ka dalë i ati dhe të dëmtuarit e tjerë. Pastaj i akuzuari ka gjuajtur përsëri me armë dhe ka goditur në kokë B. M., i njëjti ka ndërruar jetë dhjetë ditë më vonë.

Me këto veprime të akuzuarit sipas Aktakuzës kanë kryer veprat penale bashkëkryerje në vrasje të rëndë, ndërsa Xhafer Bardhi akuzohet edhe për armëmbajtje pa leje.

Raportimet e KALLXO lidhur me këtë rast – LINK