FOTO - Elona Sejdullahu - KALLXO.com - 06.05.2021
Dështon seanca ndaj Nenad Rikalos dhe të tjerëve të akuzuar për korrupsion
Ka dështuar seanca ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo dhe 7 ish-zyrtarëve të tjerë të akuzuar për korrupsion.
Në këtë rast po akuzohen, Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët dyshohet se në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro.
Arsyeja e dështimit të kësaj seance, ishte mungesa e anëtares së trupit gjykues Albina Shabani- Rama.
KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.
Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.
Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.
Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet, se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike. Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.
Sipas aktakuzës, Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.
Po ashtu, Rikalo më 26 mars 2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja, për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.
I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.