Donacion 6 milionësh për sistemin e drejtësisë dhe burgjeve

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj së bashku me Drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismajl Dibranin, kanë pritur në takim të entjen më 21.03.2024 ndihmës Sekretarin Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson.

Takimi është mbajtur në objektin e Gjykatës së Prishtinës, në të cilin është bërë nënshkrimi i donacionit në vlerë prej 6 milionë eurove që ka pajisur objektet e Gjykatave në tërë Kosovën me pajisje për audio dhe videoincizim.

Në këtë ceremoni e pranishme ishte edhe kryetarja e Gjykatës së Prishtinës, Albina Shabani- Rama dhe gjyqtarë të kësaj gjykate.

Ndihmës Sekretari Amerikan për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson, ka thënë se ndihet i nderuar që po merr pjesë në ceremoninë e donacionit që në mënyrë të konsiderueshme do t`i ndihmoj sistemit gjyqësor.

“ Jam shumë i nderuar që të marrë pjesë në ceremoninë e donacionit për audio dhe videoincizim. Pajisjet të cilat INL është duke i orfuar…, në mënyrë të konsiderueshme do të përmirësojnë sigurinë në gjykata dhe në burgje”- tha Todd D. Robinson.

Sipas Todd D. Robinson me pajisjet të cilat i ka dhënë donacion INL do të zvogëlohet barra e njësive transportuese dhe sektorët e sistemit të drejtësisë, do të mund të kenë transkriptime të sakta dhe të detajuara nga zhvillimet procedurale në gjykata.

“ Teknologjia e videoincizimeve do iu mundësoj dëshmitarëve që të paraqiten në Gjykatë në mënyrë vizuele”- shtoi tutje Todd D. Robinson.

Edhe kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj ka falënderuar INL dhe Qeverinë Amerikane për kontributin që ka dhënë për sistemin gjyqësor të Kosovës.

Përmes pajisjeve sipas Zogajt do të rritet transparenca dhe besueshmëria në sy të publikut dhe të palëve në procedurë.

“Transparenca besojmë që është një pikë e fortë e gjyqësorit të Kosovës për shkak se gjyqësori i Kosovës monitorohet nga shumë organizata vendore dhe ndërkombëtare. Natyrshëm puna e gjyqësorit përfaqësohet dhe prezantohet në media dhe në uebfaqet e gjithë institucioneve, në këtë rast edhe të gjykatave dhe Këshillit Gjyqësor. Në masën besoj të pa krahasueshme me vende në regjion dhe në këtë kontekst kontributi dhe ndihma që i ka dhanë INL përmes instalimit të pajisjeve të audiove dhe incizimeve në të gjitha gjykatat e Republikës së vendit e ndihmon në masë të konsiderueshme transparencën e gjyqësorit, e rrit besimin e publikut dhe njëkohësisht palëve në procesin gjyqësor, e rrit efikasitetin dhe e ekonomizon procesin gjyqësor” – tha Zogaj.

Kurse Ismajl Dibrani shprehu falënderimin dhe mirënjohjen për INL-in dhe Qeverinë Amerikane për mbështetjen e fuqishme në avancimin, përmirësimin e sistemit korrektues, infrastrukturën sigurisë dhe zhvillimit profesional të stafit.

“Me mbështetjen e INL ne kemi arritur që për herë të parë në Kosovë të themelojmë institucionin për trajtimin e personave me nevoja të veçanta. Kemi pranuar pajisje të ndryshme që kanë ndihmuar drejtpërsëdrejti në ngritjen e nivelit të sigurisë dhe në përgjithësi mirëqenies së personave që mbahen në institucionet korrektuese”- tha Dibrani.

Sipas Dibranit donacioni i sotëm është një ndër donacionet më të rëndësishme për SHKK dhe sistemin e drejtësisë në përgjithësi, pasi që duke e shfrytëzuar këtë sistem do të zvogëlohet nevoja për transportin të personave nga burgjet në gjykatë dhe anasjelltas.

Sipas një videoincizmi të shfaqur në Gjykatën e Prishtinës, tetë salla të Gjykatave në Kosovë do të jenë të pajisura me pajisje për audio dhe videoregjistrim, si dhe transkriptimin e video-konferencave.

Kurse 83 dhoma të Gjykatave në Kosovë do të kenë mundësinë që të bëjnë regjistrimin me zë të seancave. 113 zyre të gjyqtarëve do të kenë mundësinë që të bëjnë transkriptime përmes pajisjeve që janë dhënë donacion.