Nën dyshimin e keqpërdorimit të 4 milionë eurove, ka vazhduar gjyqi ndaj ish ministrit Rikallo dhe të tjerëve

Ish-ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo dhe 7 ish- zyrtarë të tjerë të akuzuar për korrupsion, sot, në Gjykatën e Prishtinës, dhanë fjalën hyrëse.

Për këtë rast po akuzohen, Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët dyshohet se në cilësinë e zyrtarëve të ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë euro.

Në fillim të shqyrtimit gjyqësor, gjyqtari Mentor Bajraktari pyeti edhe njëherë të akuzuarit rreth fajësisë dhe të gjithë përfshirë edhe ish-ministrin, u deklaruan se ndihen plotësisht të pafajshëm.

“Nuk e ndjej veten fajtor në asnjë pikë të aktakuzës”, deklaroi shkurt ish-ministri Rikalo.

Përfaqësuesja e akuzës, prokurorja speciale, Habibe Salihi, në fjalën hyrëse njoftoi gjykatën dhe palët për dëshmitarët e siguruar dhe provat materiale me të cilat mbështet akuzën e ngritur kundër të akuzuarve të lartcekur.

E njëjta potencoi, se provat e siguruara do të provojnë dyshimin e bazuar mirë, se këta të akuzuar i kanë shkaktuar buxhetit dëm të konsiderueshëm material.

“Jam këtu të përfaqësoj aktakuzën, kundër të akuzuarve të cilët në bashkëkryerje kanë kryer veprën keqpërdorim i pozitës. Ky rast penal njihet me emrin “Grantet” për shkak se veprat e tyre lidhen me grantet e dhëna në mënyrë të kundërligjshme”, tha prokurorja Salihi.

Përveç saj, pretendimet kundër të akuzuarve i parashtroi edhe Bedri Krasniqi nga avokatura shtetërore, që përfaqëson Ministrinë e Drejtësisë, i cili tha se do të parashtrojë kërkesë pasurore juridike për të rimbursuar dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit.

“Avokatia shtetërore, parashtron kërkesën pasurore juridike pasi që të pandehurit me veprimet e tyre i kanë shkaktuar dëm Kosovës në shumë 4 milionë euro, gjithë këtë dëmtim do ta faktojmë gjatë zhvillimit të procedurës penale kundër tyre”, tha Bedri Krasniqi.

Pas dëgjimit të pretendimeve të Prokurorisë Speciale dhe avokaturës shtetërore, mbrojtja e gjithë të akuzuarve, deklaruan se do të vërtetojnë pafajësinë e të mbrojturve të tyre.

Mbrojtja quajti aktakuzën si të pa bazë, me të meta të dhe me prova jo të forta.

Gjithashtu mbrojtja e Nenad Rikallo, avokati Mirodrag Brkljaq, njoftoi gjykatën se së shpejti do të dorëzojë provat e siguruara për të provuar se veprimet e të mbrojturit të tij ishin totalisht në kompetencat e tij si ministër në atë kohë.

“Kur të dëgjoni përmbajtjen e provave të mbrojtjes të cilat tërë kohën do t’i sigurojmë dhe definitivisht e kemi arritur këtë, por unë me parashtresë të veçantë do t’ia dërgojë gjykatës në afatin më të shkurtë ato prova, në bazë të ligjit, kur t’i dëgjoni të gjitha këto, do të kuptoni se prokurori nuk ka siguruar prova të qarta, të forta dhe bindëse”, tha avokati Brkljaq.

Shqyrtimi do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve të siguruar nga prokuroria.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, ku në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike. Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikalo më 26.03.2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’iu mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë se në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

 

Dështon seanca gjyqësore për korrupsion ndaj ish-ministrit Rikalo